Nga 27 deri më 29 tetor, në Vatikan, do të mbahet takimi “(Re)thinking Europe”
(Të rimendojmë Evropën), dialog i organizuar nga Selia e Shenjtë dhe Comece (Komisioni
i Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian), me pjesëmarrjen e Papës Françesku.
Intervistuam për këtë sekretarin e përgjithshëm të Comece-s, atë Olivier Poquillon:
Më tepër se konferencë,
do të jetë dialog: një dialog ndërmjet Kishës dhe botës së politikës. E dimë se sot,
këto realitete shihen si krejtësisht të ndryshme. Prandaj, na u duk e rëndësishme
që politikanët të dialogojnë me ipeshkvijtë për gjendjen, në të cilën ndodhet aktualisht
Bashkimi Evropian, me Brexit, pra, me daljen e Britanisë së Madhe, por edhe me ngjarjet
e Katalonjës e me problemet në kufirin e saj të jashtëm, për shembull, në Ukrainë.
Pra, arsyeja e parë është pikërisht dialogu: Evropa është, së pari, kontinent
njerëzish. E kemi thënë disa herë: për Kishën, ajo përfaqëson një projekt për paqen.
Paqja, siç na kujton Shën Toma - domenikan ky - është “betejë”: betejë pozitive, jo
betejë kundër… Betejë e vlerave pozitive: këtë dëshiron Kisha.
Në këtë çast, Evropa është veçanërisht e ndarë dhe e ka të vështirë të flasë me
një zë të vetëm, sidomos për tema si emigracioni, ekonomia, mbrojtja. Ç’kontribut
mund të japë Kisha me këtë takim?
Edhe një herë,
Kisha nuk mundohet të flasë me një zë të vetëm, si të ishte ndonjë regjiment ushtrie.
Edhe Kisha, ashtu si Bashkimi Evropian, bazohet mbi parimin “unitet në larmi”. Edhe
Kisha në Evropë u referohet 28 realiteteve të ndryshme, që shprehen përmes
kulturave, gjuhëve, popujve. Por, me dikë të përbashkët, që është Krishti. Të përforcuar
nga kjo, kemi një vizion të caktuar mbi njeriun, të cilin përpiqemi t’ua propozojmë
edhe politikanëve. Për Comece-n, synimi kryesor, ashtu siç deshën edhe Ati
i Shenjtë e kardinali Marks (zv.kryetari i Comece-s), është që të vendoset njeriu
në qendër të politikave publike.