Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Papa në Shën Martë: zemra e ngurtë nuk e kupton mëshirën e Zotit

Papa Françesku në Shën Martë

10/10/2017 13:39

Për të dytën ditë me radhë, liturgjia na bën të reflektojmë mbi Librin e Jonës e mbi mëshirën e Zotit, që na hap zemrat e fiton mbi gjithçka. Sot, në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku përmblodhi historinë e profetit kokëfortë, që donte t’i mësonte Zotit si duhen bërë punët.

        Kapitulli i fundit i Librit të Jonës është pjesë e liturgjisë së nesërme, por ngjarjet i njohim. Zoti i kërkon Jonës ta kthejë në rrugë të drejtë qytetin e Ninives: herën e parë, profeti ikën duke refuzuar; herën e dytë shkon dhe ia arrin t’i bëjë mirë punët, vërejti Papa Françesku, por u inatos kur Zoti e fali popullsinë, që u pendua. Jona e kishte zemrën gur, shpirtin e thatë, vijoi Ati i Shenjtë:

         “Kokëfortët me shpirt, të ngurtët, nuk e kuptojnë ç’është mëshira e Zotit. Janë si Jona: ‘Duhet të predikojmë këtë… këta duhen dënuar, sepse kanë bërë keq e duhet të shkojnë në ferr…’. Të ngurtët nuk dinë ta hapin zemrën, si Zoti. Të ngurtët janë zemërlëshuar, me një zemër të vogël e të mbyllur, vetëm pas drejtësisë së pastër. E harrojnë se drejtësia e Zotit u mishërua në Birin e Tij, u bë mëshirë, u bë falje; se zemra e Hyjit është gjithnjë e hapur për faljen”.

         E kokëfortët harrojnë se Zoti i Gjithpushtetshëm u zbulohet njerëzve sidomos përmes mëshirës dhe faljes:

         “Nuk është e lehtë ta kuptojmë mëshirën e Zotit, nuk është e lehtë. Duhet shumë lutje për ta kuptuar, sepse është hir. Ne jemi mësuar të themi ‘na bëre këtë e unë ta kthej me atë’, si edhe me atë tip drejtësie, që thotë ‘ke bërë këtë, tani paguaj’. Por, është Jezusi, që pagoi për ne dhe vazhdon të paguajë”.

         Zoti, përsëriti Papa, duke pasur gjithnjë parasysh historinë e Jonës, mund ta kishte braktisur profetin në kokëfortësinë e vet, por nuk e bëri këtë. Shkoi t’i fliste, ta bindte, e shpëtoi edhe atë, ashtu siç bëri me banorët e Ninives. U tregua Zot i durueshëm, Zot, që di të përkëdhelë e t’ua hapë njerëzve zemrat:

         “Ja mesazhi i këtij Libri profetik – nënvizoi së fundi Papa Françesku – dialog ndërmjet profecisë, pendesës, mëshirës dhe kokëfortësisë e zemrës së lëshuar. Por gjithnjë fiton mëshira e Zotit, sepse gjithpushteti i Tij duket pikërisht përmes mëshirës. Unë po i lejoj vetes sot t’ju këshilloj ta merrni Biblën e të lexoni Librin e Jonës – është krejt i shkurtër, vetëm tri faqe – e të shihni si vepron Zoti, si është mëshira e Hyjit, si i shndërron Zoti zemrat tona. E ta falenderojmë Hyjin, sepse është shumë i mëshirshëm”.

10/10/2017 13:39