2017-10-10 14:23:00

Kongregata e Çështjeve të Shenjtorëve: Kisha do të ketë dy të Lumë të rinj


Kisha do të ketë dy të Lumë të rinj. Dje, Papa Françesku priti në audiencë prefektin e Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinalin Angelo Amato, duke e autorizuar të shpallë disa Dekrete.

         U njihet martirizimi, Shërbëtorëve të Zotit: Tullio Maruzzo (në shekull, Marçelo), meshtar i Urdhërit të Fretërve të vegjël, si edhe Luigi Obdulio Arroyo Navarro, laik i Urdhërit të Tretë të Shën Françeskut. Të dy u vranë nga urrejtja për fenë, më 1 korrik 1981, pranë Los Amates, në Guatemalë. Këta janë të Lumët e rinj, që Kisha do të shpallë së shpejti.

         Njihen gjithashtu, virtytet heroike të Shërbëtorit të Zotit, Donizetti Tavares de Lima, meshtar dioqezan, lindur në vitin 1882 në Brazil e vdekur po në atë vend, më 16 qershor 1961. Virtytet heroike u njihen edhe një françeskani kapuçin nga Ukraina; një meshtari spanjoll të Kongregatës së Familjes Shenjtë të Jezusit, Marisë e Jozefit; themelueses së Spitalit të të Pashërueshmëve në Napoli dhe të Murgeshave Kapuçine, spanjolles Maria Lorenza Requenses in Longo; themelueses së Institutit të Urdhërit të Tretë të Shën Françeskut të Montpellier në Francë; themelueses ukrainase të Kongregatës së Motrave Françeskane Shërbëtore të Kryqit; si edhe virtytet heroike të laikut Francesco Paolo Gravina, italian, themelues i Kongregatës së Motrave të Bamirësisë së Shën Vinçencit.








All the contents on this site are copyrighted ©.