2017-10-10 16:29:00

Arbëreshët në një konferencë mbi trashëgiminë e kohës së Skënderbeut


Një publik i gjerë e me nivel të lartë kulturor ndoqi mbëmë konferencën “Trashëgimia kulturore historike dhe fetare e shqiptarëve nga epoka e Skënderbeut”, mbajtur në një sallë të Senatit të Republikës Italiane, në Romë me 9 tetor 2017. I organizuar nga Ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, takimi u nderua nga prania e relatorëve si: kryetari i Këshillit Papnor për Kulturën, kardinali Gianfranco Ravasi, ipeshkvi i Ungrës, imzot Donato Oliverio, shkrimtari dhe studiuesi shqiptar Aurel Plasari e të tjerë. Të pranishëm në publik, ambasadorja e Shqipërisë në Itali, znj. Anila Bitri dhe ajo e Kosovës, znj. Alma Lama, të cilat përshëndetën takimin.

Ishte natyrisht fjala për trashëgiminë e arbëreshëve të Italisë, ruajtur prej gati 600 vjetësh, siç dëshmuan relatorët, menjëherë pas dokumentarit të së ngarkuarës me punë në ambasadën e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, znj. Majlinda Dodaj, që u shpjegoi të pranishmëve vlerat e “Valles” arbëreshe të Civita-s në Kalabri.

Imzot Donato Oliverio, ipeshkëv i Eparkisë së Ungrës, me tone krenarie, përshkroi ruajtjen e ritit bizantin dhe rolin e Selisë së Shenjtë e në veçanti të papëve në favor të kësaj bashkësie të vogël, që mundi të sjellë gjuhën e zakonet e të parëve deri në ditët tona. Për mbrojtjen juridike të pakicës etnike shqiptare në Sicili dhe në Kalabri foli profesori i së Drejtës Kishtare në Universitetin e Bolonjës, Giovanni Cimbalo.

E një shkrimtar si Aurel Plasari, tashmë drejtor i qendrës së Enciklopedisë Shqiptare “Akademia e Studimeve Albanologjike” nuk mund të mos qëmtonte në kujtesën historike të vetë arbëreshëve për t’u sjellë të pranishmëve Skënderbeun, ashtu siç e kanë treguar ata në Itali. Për marrëdhëniet ndërmjet Puljes dhe Shqipërisë në epokën e Gjergj Kastriotit, foli profesoresha Maria Gabriella Belgiorno, pedagoge e pluralizmit fetar në Universitetin e Perugia-s. E nuk mungoi edhe kontributi i arbëreshëve në historinë e Italisë, sidomos në bashkimin e saj në kohën e Garibaldit, por edhe më gjerë. Foli për këtë një stërnip i Kastriotëve, gazetari Loris Castriota Scanderbeg. E së fundi, Skënderbeu në këngët tradicionale arbëreshe, që u sollën në Sallën e mrekullueshme Zuccari të Senatit Italian, nga Nicola Scaldaferri, profesor i etnomuzikologjisë në Universitetin e Milanos.

Në vitin, që si shteti shqiptar, ashtu edhe Kisha Katolike, ia kushtojnë Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, urojmë që kjo veprimtari të jetë e para e shumë të tjerave në vijim.








All the contents on this site are copyrighted ©.