2017-10-09 12:45:00

Papa Françesku në Shën Martë: të sillemi si Samaritani i Mirë


Të kujdesemi për njerëzit nevojtarë, siç bëri Samaritani i Mirë. Sot në mëngjes, në homelinë e meshës së kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku i nxiti të gjithë t’i ndihmojnë nevojtarët të ringrihen. Edhe vetë Krishti nuk na kalon afër, duke e kthyer kokën nga ana tjetër, por vijon të paguajë për ne me jetë. Ati i Shenjtë komentoi shembëlltyrën e Samaritanit të Mirë, që na paraqet Ungjilli i sotëm.

Krishti ia tregon këtë shembëlltyrë dijetarit të Ligjit, që e pyet ç’duhej bërë për të fituar jetën e amshuar. E nuk kuptonte, edhe kur Jezusi i përgjigjej se mjaftonte të dojë Zotin dhe të afërmin. “E kush është i afërmi im?” e pyet dijetari. Përmes shembëlltyrës, Krishti i shpjegon se kush është vërtet i afërmi. Kusarët kishin vjedhur dikë, duke e lënë të plagosur rëndë në anë të rrugës. Kalon meshtari dhe leviti, por ikin më tej, pa e ndihmuar:

         “Qëndrim shumë i zakonshëm edhe ndër ne – theksoi Papa Françesku. Shohim diçka të shëmtuar e ecim më tej. E pastaj, lexojmë për këtë në gazeta, ngjyrosur nga pak me shkandull e sensacionalizëm. Ndërsa pagani, mëkatari, që ishte për udhë, ‘pa e nuk kaloi përtej: pati mëshirë’. Shën Luka ungjilltar na e përshkruan mirë: ‘Pa, iu dhimbs, iu afrua, nuk u largua…u afrua. I lidhi plagët, i hodhi vaj e verë’. Por nuk e la aty… Tashmë bëra ç’kisha në dorë e po shkoj. Jo!”

E mori me vete, vijoi tregimin Papa, e çoi në bujtinë dhe u kujdes për të, por të nesërmen, duke e ditur se do të ikte për punë, pagoi të zotin e bujtinës, duke i thënë se nëse do të shpenzonte më shumë për të plagosurin, do t’ia jepte paratë kur të kthehej.

 Ky është misteri i Krishtit, që u bë shërbëtor, u përul, u bë asgjë e vdiq për ne, theksoi Papa Françesku. Jezusi “nuk kaloi përtej, erdhi tek ne, të plagosurit për vdekje; u kujdes për ne; pagoi për ne e vazhdon të paguajë” e “do të paguajë kur të vijë për herë të dytë”, siç “ka paguar”. Me këtë mister, Jezusi i përgjigjet dijetarit të Ligjit, që donte ta vinte në provë. Jezusi është Samaritani i Mirë, që e fton njeriun të bëjë si ai. Nuk është përrallë fëmijësh, theksoi Papa Françesku, por “misteri i Jezu Krishtit”:

         “E duke dëgjuar këtë shembëlltyrë, do ta kuptojmë më shumë thellësinë, gjerësinë e misterit të Jezu Krishtit. Dijetari i Ligjit e mbylli gojën, plot turp, nuk kuptoi. Nuk e kuptoi misterin e Krishtit. Ndoshta, do të ketë kuptuar atë parim njerëzor, që na afron me misterin e Krishtit: çdo njeri ta shohë tjetrin nga lart poshtë, vetëm kur i duhet ta ndihmojë për t’u ringritur. Ai, që e bën këtë, është në rrugën e drejtë, në udhën e duhur drejt Jezusit”.

 Papa përmendi edhe bujtinarin, që nuk kuptoi shumë, por u habit me ç’po dëgjonte. Ai takoi dikë, që sillej si askush tjetër. Ai takoi “Jezusin”, tha Papa, i cili i ftoi të pranishmit në meshën e Shtëpisë së Shën Martës ta pyesin veten:

         “Çfarë bëj unë? Jam kusar, mashtrues, i korruptuar? Jam meshtar, që shikon dhe kthen kokën nga ana tjetër? Jam drejtues katolik, që bëj të njëjtën gjë? Apo jam mëkatar? Dikush, që duhet dënuar për mëkatet e veta? A afrohem, a kujdesem për nevojtarët? Çfarë bëj para sa e sa njerëzve të plagosur, që takoj përditë? A bëj si Jezusi? A bëhem shërbëtor i tyre? Do të na bëjë mirë ky reflektim, duke lexuar e rilexuar këtë pjesë. Këtu shfaqet misteri i Jezu Krishtit, që erdhi për ne mëkatarët, për të na shëruar e për të dhënë jetën për ne”.







All the contents on this site are copyrighted ©.