Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Papa në Engjëllin e Tënzot: Zoti na kërkon të jemi shpresë për të gjithë

Papa Françesku në Engjëllin e Tënzot - AFP

09/10/2017 11:53

Para 30 mijë besimtarëve e shtegtarëve, në Lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku komentoi Ungjillin e ditës, që fliste për një pronar toke, që ua dha me qira vreshtin fshatarëve, të cilët nuk deshën t’i jepnin të vjelat, duke i vrarë si shërbëtorët, ashtu edhe djalin, që e çoi për të marrë ç’i takonte.

         “Është histori, që na përket edhe ne”, nënvizoi Papa, duke vënë në pah besëlidhjen e Zotit me njerëzimin, që vlen edhe sot. Është histori dashurie, theksoi Ati i Shenjtë, por si e tillë, ka çaste pozitive e negative, tradhti e refuzime. Pyetja përfundimtare e shembëlltyrës: “Kur do të vijë pra, pronari i vreshtit, çfarë do t’u bëjë fshatarëve?”, vijoi Papa Françesku, “nënvizon se zhgënjimi i Zotit për sjelljen e poshtër të njerëzve nuk është fjala e fundit! Kjo është risia e madhe e krishterimit: një Zot, i cili, megjithëse zhgënjehet nga gabimet e mëkatet tona, nuk e ha fjalën, nuk ndalet e sidomos, nuk hakmerret! Zoti do, nuk hakmerret, na pret për të na falur, për të na përqafuar”.

         Zoti është i mëshirshëm, por dëshiron të shohë frytet e mëshirës së Tij. Kur njeriu ngul këmbë në arrogancën e vet, që kthehet edhe në dhunë, Fjala e Zotit parlajmëron: “Juve do t’iu hiqet mbretëria e Zotit e do t’i jepet një populli, që prodhon fryte”.

         Fakti që secili prej të krishterëve duhet të sjellë fryte është diçka e re dhe origjinale e fesë së krishterë. “Ajo – nënvizoi Papa – nuk është aq shuma e rregullave dhe e normave morale, por, pikësëpari, një propozim dashurie, që Zoti, përmes Jezusit, i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë njerëzimit. Është ftesë për të hyrë në historinë e dashurisë, duke u bërë vresht i gjallë dhe i hapur, i pasur me fryte e me shpresë për të gjithë”, të afërtit e të largtit.

         Në përfundim të Lutjes së Engjëllit të Tënzot, para se të përshëndeste besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, Ati i Shenjtë kujtoi lumnimin e së shtunës, në Milano, të atë Arsenio nga Trigolo (në shekull Giuseppe Migliavacca), meshtar françeskan kapuçin e themelues i Motrave të Zojës Ngushëlluese. “Ta lëvdojmë Zotin – tha Papa Françesku – për këtë dishepull të përvuajtur të tij, i cili, edhe në kundërshti e sprova, nuk e humbi kurrë shpresën”.

09/10/2017 11:53