2017-10-09 14:20:00

Imzot Krajewski, në emër të Papës, kremton funeralin e një të pastrehu


Sot paradite, në emër të Papës Françesku, Lëmoshtari papnor, imzot Konrad Krajewski, kremtoi në kapelën e Poliklinikës “Gemelli” në Romë, funeralin e Valentinit, një i pastrehë 48-vjeçar, që prej kohësh jetonte në “Vilën e Mëshirës”, strukturë e brendshme e Kampusit të Universitetit Katolik, përuruar në vitin 2016, ku strehohen njerëz të varfër e pa shtëpi.

“Ipeshkëv, që shoqëron të fundmit”: kështu e komentoi imzot Konradi vendimin e Papës për ta çuar në funeralin e Valentinit, duke i bërë këtij një dhuratë, që do ta shoqërojë deri në portat e Parajsës. 48-vjeçari, me origjinë nga Rumania, ndihmohej nga Bashkësia e Shën Egjidit që nga viti 2000, kur e pati njohur gjatë shpërndarjes së darkës për të varfërit në lagjen Pietralata të kryeqytetit italian.

Jetën e konsideronte asgjë, që kur ishte ndarë nga gruaja e shpesh, binte pre e alkoolit. “Nuk vdiq në indiferencë dhe i paemër – nënvizojnë veprimtarët e Shën Egjidit – por me dinjitetin e birit, të vëllait e të mikut, në mesin e shumë miqve, që sot, janë këtu për lamtumirën e fundit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.