Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha në botë

Shpallet i Lum në Milano, fra Arsenio nga Trigolo

Fra Arsenio nga Trigolo - RV

08/10/2017 08:30

Dje, në Milano të Italisë, u shpall i Lum fra Arsenio nga Trigolo, meshtar i Fretërve të Vegjël Kapuçinë e themelues i Kongregatës së Motrave të Zojës Ngushëlluese. Kryesoi meshën përfaqësuesi i Papës Françesku, kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.

         Giuseppe Antonio Migliavacca, siç quhej në shekull fra Arsenio, lindi në Trigolo të Kremonës. Hyri në seminar në vitin 1863 dhe u shugurua meshtar më 1874. Vitin e mëpasëm kaloi në Shoqërinë e Jezusit, por doli prej saj me urdhër të eprorëve. Në vitin 1892, kryeipeshkvi i Torinos i dha si detyrë të ndiqte shpirtërisht një grup vajzash, që dëshiron të bëheshin murgesha. Ai grup u bë më vonë bërthama e Motrave të Zojës Ngushëlluese, të cilat, nga viti 1898 patën noviciatin dhe Shtëpinë Amë në Milano. Pas shumë peripecish, atë Migliavacca la administrimin e kongregatës së motrave. Hyri ndër fretërit kapuçinë me emrin atë Arsenio Maria. U sëmur nga arterioskleroza dhe vdiq në infermierinë e kuvendit të françeskanëve në Bergamo, në moshën 60 vjeçare. Procesi i lumnimit u zhvillua në dioqezën e Milanos nga 3 prilli i vitit 1998 deri më 29 maj 1999. Trupi i tij pushon në paqe në kapelën e Shtëpisë Amë të Motrave të Zojës Ngushëlluese në Milano.

08/10/2017 08:30