Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Papa Françesku në Shën Martë: turpi, që është hir, na shëron nga mëkati

Papa Françesku në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës

06/10/2017 12:07

“Hyjit tonë i përket drejtësia, kurse neve faqja e zezë”: me këto fjalë, Baruku profet, në Leximin e parë të sotëm, na flet për mosbindjen ndaj ligjit të Zotit, pra, për mëkatin e, njëkohësisht na tregon “udhën e vërtetë” për të kërkuar falje. Mbi këtë pjesë reflektoi sot Papa Françesku, në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë u ndal në realitetin e mëkatit, që i karakterizon gjithë njerëzit, ashtu siç thuhet në profecinë e Barukut:

         “Askush nuk mund të thotë: ‘Unë jam i drejtë’, ose ‘unë nuk jam si ai apo si ajo’. Unë jam mëkatar! Do të thosha se gati-gati, ky është emri i parë, që kemi të gjithë: mëkatarë. E pse jemi mëkatarë? Sepse nuk i jemi bindur Zotit: Ai na ka thënë një gjë e ne kemi bërë një tjetër. Nuk e kemi dëgjuar zërin e Zotit: Ai na ka folur shumë herë. Në jetë, secili mund të mendojë: ‘Sa herë më ka folur Hyji…E sa herë nuk e kam dëgjuar!’ Flet me prindërit, me familjen, me katekistin, në kishë, në homeli, e flet edhe me zemrën tonë”.

Por ne jemi rebeluar: ky është pra, mëkati, “rebelimi”, “kokëfortësia”, ndjekja e devijimeve të zemrës, duke rënë në idhujtaritë e vogla të përditshme, në mëkatet e lakmisë, të zilisë, të urrejtjes, por në veçanti, përmendi Papa, në mëkatin e “shpifjes”, të thashethemeve, që Ati i Shenjtë i quajti “luftë për ta shkatërruar tjetrin”. Mëkati, theksoi Papa Françesku, na shkatërron edhe zemrën, jetën, shpirtin, por mbetet gjithnjë mëkat kundër Zotit, që na prish marrëdhëniet me Të:

         “Nuk është njollë, që mund të hiqet. Nëse do të ishte njollë, do të mjaftonte të shkonim në dyqanin e pastrimit dhe ta fshinim… Jo! Mëkati është rebelim kundër Zotit. Është i shëmtuar në vetvete, por bëhet edhe më i shëmtuar, sepse i kundërvihet Zotit, që është i mirë. Nëse i mendoj kështu mëkatet e mia, në vend që të bie në depresion, provoj një ndjenjë të thellë: turpin, faqen e zezë për të cilën flet Baruku profet. Turpi është hir”.

E turpi na hap portat e shërimit, theksoi Papa Françesku, i cili i ftoi të gjithë të ndjejnë turp para Zotit për mëkatet e të kërkojnë falje:

         “Kur Zoti na sheh kështu, të turpëruar për ç’kemi bërë dhe, me përvuajtëri i kërkojmë falje, Ai që është i gjithpushtetshëm, i shlyen mëkatet, na përqafon, na përkëdhel e na fal. Kjo është rruga për të marrë faljen, që na mëson sot Baruku profet. Ta lëvdojmë Zotin, sepse e shfaqi gjithpushtetin e vet, përmes mëshirës dhe faljes”.

06/10/2017 12:07