2017-10-06 15:18:00

Papa Françesku: të jemi në gjendje t’i shohim në sy fëmijët e botës


Çështja e mbrojtjes së dinjitetit të të miturve në botën dixhitale është një fenomen i ri dhe i rëndësishëm i kohës sonë. Kështu u tha Papa Françesku pjesëmarrësve të Kongresit ndërkombëtar me temë “Dinjiteti i të miturve në botën dixhitale”, organizuar në Romë nga Universiteti Papnor Gregorian. Ati i Shenjtë kërkoi bashkëpunim global për t'i mbrojtur:

         “Duhet ta bëjmë këtë me vendosmëri dhe me pasion të vërtetë, duke parë me dhembshuri të gjithë fëmijët që lindin në botë, çdo ditë e nën çdo qiell, të cilët kanë nevojë sidomos për respekt, por edhe për kujdes e dashuri, për t’u rritur me gjithë pasurinë e mrekullueshme të potencialitetit të tyre”.

         Papa Françesku kujtoi se Jezu Krishti thotë fjalë të ashpra për ata, që shkandullojnë të vegjlit, fjalë që vlejnë edhe për njerëzit, që sot, shfrytëzojnë botën dixhitale, për t’u bërë keq fëmijëve. Kjo botë, për t’u admiruar, shkakton edhe frikë, nënvizoi Papa, sepse e ka ndryshuar mënyrën e komunikimit dhe të jetesës. Vlerësohet se rreth 800 milion të mitur përdorin internetin. Po çfarë gjejnë në rrjet? – pyeti Ati i Shenjtë:

         “Duhet t’i mbajmë sytë hapur e të mos e fshehim të vërtetën, që s’na pëlqen e që s’duam ta shohim. A s’e kemi kuptuar mjaftueshëm këtyre viteve se të fshehësh realitetin e abuzimeve seksuale është gabim tepër i rëndë dhe burim i shumë të këqiave?”

         Papa Françesku përmendi disa prej tyre – fenomene të rënda, siç i quajti – si përhapja e imazheve pornografike ekstreme, postimi i imazheve seksuale ndërmjet të rinjve në rrjet dhe kërcënimi seksual, që i kthen të rinjtë në viktima. Kriminelët fitojnë para përmes këtyre kërcënimeve për të publikuar në internet fotografi kompromentuese të viktimave të tyre. Ati i Shenjtë përmendi edhe krime të tjera, si tërheqja e të miturve për qëllime seksuale, bullizmi në rrjet e transmetimi i dhunës kundër të miturve. Shpesh, denoncoi Papa, të rriturit nuk janë në gjendje t’i ndihmojnë fëmijët e tyre më teknologjikë:

         “Por, nuk duhet të na kaplojë frika, që është gjithnjë këshilltare e keqe. E as nuk duhet të paralizohemi nga ndjenja e pafuqisë përballë vështirësive të detyrës, që na takon. Jemi të thirrur të mobilizohemi së bashku, duke e ditur se kemi nevojë njëri për tjetrin, që të gjejmë rrugët e qëndrimet e duhura për të dhënë përgjigje të frytshme”.

         Liria e njeriut, shtoi Papa Françesku, është e aftë t’i vërë kufi teknikës, ta riorientojë dhe ta vërë në shërbim të një lloji tjetër zhvillimi, më të shëndetshëm, më njerëzor, më shoqëror e më gjithëpërfshirës. E Ati i Shenjtë tërhoqi vëmendjen edhe ndaj gabimeve, që mund të bëhen. Së pari, nënvizoi, mund të nënvlerësohet dëmi kundër të miturve. Së dyti, mund të mendojmë se zgjidhjet teknike janë të mjaftueshme për të përballuar problemin. E gabimi i tretë ka të bëjë me vizionin ideologjik e mitik të rrjetit, si mbretëri e lirisë pa kufizime. Për shembull, përhapja e pronografisë në rrjet, denoncoi Papa Françesku, shkakton dëme të rënda edhe ndër të rriturit, duke e ndryshuar konceptimin e dashurisë dhe të marrëdhënieve ndërmjet sekseve. Është iluzion të mendosh që një botë e tillë të mos gjejë rrugë për të arritur deri tek të miturit.

         E më pas “mea culpa” për Kishën Katolike, por edhe premtimi për impenjim:

         “Kanë dalë në dritë fakte shumë të rënda, për të cilat na është dashur ta pranojmë përgjegjësinë para Zotit, para viktimave dhe para opinionit publik. Pikërisht për këtë, për përvojën dramatike dhe për kompetencën e fituar në impenjimin për purifikimin, Kisha ndjen sot mbi vete detyrën veçanërisht të rëndësishme për t’u angazhuar gjithnjë e më shumë dhe më me largpamësi në mbrojtjen e të miturve dhe të dinjitetit të tyre, jo vetëm brenda saj, por në të gjithë shoqërinë e në të gjithë botën; e kjo, jo e vetme – sepse nuk është e mjaftueshme – por duke bashkëpunuar konkretisht e përzemërsisht me të gjitha forcat e grupet e shoqërisë, që duan të impenjohen në këtë drejtim”.

         E pikërisht para se një vajzë irlandeze 16-vjeçare, në emër të të gjithë të miturve të botës, t’i dorëzonte Deklaratën e Romës, miratuar nga pjesëmarrësit e Kongresit të parë ndërkombëtar  për dinjitetin e fëmijëve, Papa Françesku kujtoi udhëtimet apostolike, kur sytë e tij ndeshin ato të fëmijëve:

         “Të të shohin sytë e fëmijëve është një eksperiencë, që e njohim të gjithë e që na prek deri në fund të zemrës, por na detyron edhe ta shqyrtojmë ndërgjegjen. Çfarë bëjmë ne që këta fëmijë të na shohin duke buzëqeshur e ta ruajnë atë shikim të pastër, plot besim e shpresë? Çfarë bëjmë ne që të mos u vidhet atyre kjo dritë, që ata sy të mos shqetësohen apo të korruptohen nga ç’shohin në internet, pavarësisht se ai do të jetë pjesë përbërëse dhe e rëndësishme e ambientit të tyre të jetës?”







All the contents on this site are copyrighted ©.