Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Kalendari

Më 6 tetor kalendari Kishtar përkujton shën Brunon, meshtar e murg

Shën Bruno, meshtar e murg - RV

06/10/2017 12:50

Më 6 tetor kalendari Kishtar përkujton shën Brunon, meshtar e murg. Bruno lindi në Këln të Gjermanisë rreth viteve 1030-1035. Ndoqi shkollën e Katedrales së Reimsit, që i përgatiste të rinjtë për rrugën kishtare. Në vitin 1056 u caktua profesor i filozofisë dhe i teologjisë, duke fituar nderimin e simpatinë e nxënësve të tij. Ndërmjet tyre ishte edhe Odoni i Lagerisë, papa i ardhshëm Urbani II.
Në vitin 1075 u emërua kancelar i kryeipeshkvit simoniak të Reimsit, Manase. Me që ishte njeri i drejtë, shumë shpejt ndërmjet tij e ipeshkvit lindën konflikte, që përfunduan vetëm më 1080, kur Gregori VII urdhëroi të zgjidhej një ipeshkëv i ri për Reimsin.
I pakënaqur nga bota, në vitin 1082 nisi jetën vetmitare pranë Molesmes, ndërsa dy vjet më pas, së bashku me gjashtë shokë, u vendos në dioqezën e Grenobles, ku u mirëprit nga ipeshkvi Ugo dhe nga abati Seguino i Sheî-zë- Dië. Me ndihmën e ipeshkvit ndërtoi, në trojet malore të Shartrëzë, shtatë baraka, ku murgjërit jetonin në heshtje, në lutje e në punë.
Vetmia e plotë ndërpritej vetëm kur mblidheshin së bashku për të thënë një pjesë të Ofices ose për të marrë pjesë në Meshën shenjte në ditët festive. Së bashku me shokët e tij, shenjti iu kushtua punës së dorës e, posaçërisht, veprimtarisë së kopjimit të dorëshkrimeve. Lindi kështu Urdhri Çertozin.
Në vitin 1088 Urbani II e thirri në Romë si këshilltar, por me që aty gjeti një mjedis të korruptuar, në vitin 1092, pasi siguroi njohjen dhe autonominë për kuvendin e themeluar pranë Grenobles, vendosi të largohej në La Torre, në mes pyjeve kalabreze. Realizoi përsëri idealin e tij murgar duke kërkuar Zotin në heshtje e në vetmi, në gjurmët e etërve të shkretëtirës. Ndërtoi rishtas një eremitazh sipas stilit të atij të Shartrëzës e edhe këtu rreth tij u mblodhën shumë shokë.
Vdiq në Serra Shën Bruno më 6 tetor 1101, i rrethuar nga një famë e madhe shenjtërie. Papa Leoni X, në vitin 1514, miratoi kultin e tij; Gregori XV më 1622 e radhiti ndërmjet shenjtorëve të Shkurtores e në Mesharin Romak.

Papa Benedikti XVI, duke kremtuar Meshën shenjte bashkë me anëtarët e Komisionit Teologjik Ndërkombëtar, në Kapelën e Nënës së Shëlbuesit, në Vatikan më 2008, e kujtoi kështu Shën Brunon, me rastin e 907-vjetorit pas vdekjes: “Misioni i Shën Brunos, i shenjtit që festohet sot, duket qartë në lutjen, që na shpjegon se misioni i tij ishte: heshtje e kundrim. Por heshtja e kundrimi kanë një qëllim, shërbejnë për të ruajtur, në përhumbjen e jetës së përditshme, bashkimin e përhershëm me Zotin. Ky është qëllimi: që në shpirtin tonë bashkimi me Zotin të jetë gjithnjë i pranishëm e të na shndërrojë plotësisht”.

06/10/2017 12:50