2017-10-06 13:15:00

Deklarata e Romës: 13 pika për t’i thënë “jo” abuzimit kundër të miturve


13 pika për t’i thënë “jo” dhunës dhe shpërdorimit kundër të miturve në internet. Kjo është “Deklarata e Romës”, dalë nga Kongresi Ndërkombëtar me temë “Dinjiteti i të miturve në botën dixhitale”, që u zhvillua kësaj jave në Universitetin Papnor Gregorian. Sot, pjesëmarrësit u takuan me Papën Françesku.

E pikërisht nga një mendim i Atit të Shenjtë niset deklarata: “Shoqëria mund të gjykohet nga mënyra e trajtimit të fëmijëve”. Vihet në dukje se epoka e internetit  e përparimi teknologjik u japin të gjithëve, edhe të rinjve, mundësi të reja, por krijojnë edhe rreziqe të pamenduara më parë. “Përhapja e rrjeteve shoqërore – thuhet në Deklaratë – sjell edhe akte tinzake si cyberbullizmi, ngacmime dhe kërcënime seksuale, që po bëhen gjithnjë e më të zakonshme. Veçanërisht, shtrirja dhe ndikimi i abuzimeve seksuale me të miturit si edhe shfrytëzimi i tyre online është tronditës. Një numër i jashtëzakonshëm imazhesh abuzimi seksual të fëmijëve dhe të të rinjve është në dispozicion online dhe rritet pa pushim”.

Para kësaj gjendjeje, sfidat janë të mëdha, por “nuk mund të mos reagojmë”, deklarojnë rreth 140 ekspertët botërorë, të cilët, që nga data 3 tetor, u mblodhën në Romë. Bota ka tashmë edhe mjete për këtë betejë, prej të cilave, “Deklarata e Romës” përmend Qendrën për Mbrojtjen e Fëmijëve të Universitetit Papnor Gregorian, organizatore e Kongresit, që punon në 30 vende në të katër kontinentet. Por edhe WePROTECT Global Alliance (Aleanca Globale NeMBROJMË), themeluar në Mbretërinë e Bashkuar, që bashkëpunon me SHBA-të dhe me Bashkimin Evropian, duke mbledhur në këtë betejë të rëndësishme 70 kombe, 23 ndërmarrje teknologjike dhe shumë organizata ndërkombëtare. E natyrisht, përmendet edhe OKB-ja, që ka si objektiv çrrënjosjen e dhunës kundër fëmijëve brenda vitit 2030.

Është problem, që nuk mund të zgjidhet nga një vend i vetëm, nga një ndërmarrje apo nga nje fe e vetme. Është problem global, prandaj zgjidhjet duhet të jenë globale. Për këtë arsye, Deklarata e Romës u bën thirrje autoriteteve botërore, që të sensibilizojnë dhe t’i informojnë njerëzit për problemin e abuzimit dhe të shfrytëzimit të fëmijëve, në mënyrë që t’u kërkojnë krerëve të vendeve të gjejnë zgjidhje.

   Pastaj, u drejtohet feve të mëdha, që të mobolizojnë ndjekësit e tyre për t’u bashkuar me lëvizjen botërore në mbrojtje të fëmijëve. U bën thirrje parlamenteve të gjithë botës të përmirësojnë legjislacionin dhe t’u kërkojnë llogari përgjegjësve të abuzimeve.

         Krerëve të kompanive teknologjike, Deklarata e Romës u kërkon të impenjohen për të zhvilluar mjete teknologjike, që të pengojnë përhapjen e imazheve të abuzimit seksual me fëmijët në internet. Ministritë e shëndetësisë dhe krerët e organizatave jo qeveritare nxiten të përmirësojnë programet e kujdesit për viktimat e abuzimeve. Agjensive qeveritare, shoqërisë civile dhe forcave të rendit u kërkohet të punojnë për identifikimin e viktimave, në mënyrë që ato të ndihmohen me të gjitha mënyrat.

Deklarata e Romës u drejtohet sërish, në pikën e 7-të, forcave të rendit të gjithë botës që të bashkëpunojnë, të shkëmbejnë informacionin e të rrisin përpjekjet për të ndalur krimet kundër të miturve, që kapërcejnë kufijtë. Më pas, nxiten mjekët dhe të gjithë profesionistët e shëndetësisë të specializohen për ta kuptuar më mirë kur është fjala për abuzime e shpërdorime seksuale të të miturve. Kërkohet gjithashtu, të rriten fondet për profesionistët e fushës së psikiatrisë dhe për ekspertët e formave të tjera të kurimit të fëmijëve të shfrytëzuar seksualisht.

Pornografia online është problem tjetër, që shtron për zgjidhje, Deklarata e Romës, duke bërë thirrje për të studiuar ndikimin e saj në shëndetin e fëmijëve dhe të adoleshentëve. Qeverive e përgjegjësve të të gjithë botës u kërkohet të promovojnë realizimin e teknikave, që i pengojnë të rinjtë të shohin në internet gjëra, që janë menduar vetëm për të rriturit. Edhe vetë fëmijët e të rinjtë duhen formuar për ta përdorur si duhet intenetin e këtu, Deklarata e Romës vë në dukje rolin vendimtar të institucioneve fetare.

Së fundi,  qytetarët e çdo vendi duhet të jenë më tepër të vetëdijshëm për abuzimet e shfrytëzimet seksuale kundër të miturve e duhet të inkurajohen për t’ua sinjalizuar rastet e abuzimit autoriteteve përkatëse.

         “Në këtë epokë interneti – përfundon Deklarata e Romës – bota përballon sfida të papara për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e fëmijëve e për t’i mbrojtur nga abuzimi e shfrytëzimi. Këto sfida kërkojnë një mënyre të re të menduari e qasje të reja, një vetëdije më të madhe në nivel global e një lidership të frymëzuar. Për këtë arsye, kjo Deklaratë e Romës u bën thirrje të gjithëve, që të gjithë të ngrihen në mbrojtje të dinjitetit të të miturve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.