2017-10-05 17:06:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: thesi i Shën Françeskut


Dje e gjithë bota përkujtoi shën Françeskun, një nga shenjtorët më të dashur, që ia ka ndryshuar faqen botës dhe Kishës me butësinë e varfërinë e tij dhe me impenjimin për paqe. Sot do të flasim për të ashtuquajturin “thes i Shën Françeskut”, një element i traditës, për të cilin konfirmohen disa aspekte nga një studim i kohës së fundit.

         Nëse nuk do të ishte pak ofenduese për Varfanjakun e Asizit, do të mund të thoshim se Shën Françesku i futi të gjithë në thes. Por, jo në kuptimin se i mashtroi, përkundrazi. Një relike e lidhur me të, pas studimeve shkencore, del “autenike”, pra e vërtetë. Apo më mirë të themi përkojnë mosha dhe përdorimi i saj, ashtu siç përshkruhet nga tradita.

Tradita

         Thesi i Shën Françeskut apo fragmente nga stofi i tij, ruhen në kuvendin e Folloni-t, në Campania të Italisë. Sipas traditës, thesi me bukë u materializua nga asgjëja në derën e kuvendit të Folloni-t, gjatë dimrit të vitit 1224, dërguar drejtpërdrejt nga Shën Françesku, i cili në atë çast, ndodhej në Francë. Shenjti dërgoi një engjëll, që t’u çonte bukë fretërve të uritur, mbyllur në kuvend për shkak të dëborës e të ujqërve. Mbi thes, një zëmbak, simbol i Francës.

Studimi

         Ditët e kaluara, u publikua një studim në revistën “Radiokarbon” të Cambridge University Press, me autore dy pedagoge italiane të Universitetit të Pizës, në bashkëpunim me punonjësit shkencorë të Universitetit të Danimarkës së Jugut dhe të Universitetit të Leidenit në Vendet e Ulta. Prej tij, dy rezultate të sigurta:

         “Datimi me radiokarbon e pozicionon kampionin, me probabilitet të lartë, ndërmjet viteve 1220 dhe 1295, duke konfirmuar kështu moshën e relikes – thotë njëra nga studiueset, Ilaria Degano. Analizat, që bëmë, përmes gazkromatografisë… vunë në dukje praninë e ergosterolit, që është markatori molekular, i cili tregon se është përdorur tharm për prodhimin e birrës, ose të bukës”.

Rezultatet

         Pra, stofi i thesit ka vjetërsinë e duhur për t’ia atribuar kohës së Shën Françeskut e për më tepër, thesi paska pasur brenda bukë. Ka mbetur e habitur edhe vetë shkencëtarja, pasi me kalimin e kohës, për shkak të veprimit të baktereve, përbërje organike si majaja apo tharmi, degradohen. Prandaj ajo ka analizuar edhe materialet e tjera të medaljonit, që ruan fragmentin, duke pritur që ta gjente tharmin edhe aty. Mund të mendohej se ishte xhami i medaljonit apo ndonjë pjesë tjetër më e re në kohë, që e kishte ndotur stofin me maja. Por jo! Përbërja organike është e pranishme vetëm në stofin e thesit.

         Natyrisht, shkenca nuk mund të thotë asgjë për “teletransportimin” e thesit nga Franca në Folloni të Italisë, përmes engjëllit, por rezultati i studimeve është pa dyshim konfirmim i historisë, që na përçon tradita: ai thes i përvuajtur me stof të ashpër ka transportuar bukë.








All the contents on this site are copyrighted ©.