Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Papa në Shën Martë: të rizbulojmë rrënjët, jo të izolohemi mendërisht

Papa Françesku në Shën Martë

05/10/2017 12:24

Kush gjen rrënjët e veta është njeri i gëzimit, ndërsa izolimi psikologjik bën keq: ky qe reflektimi i Papës Françesku në homelinë e meshës në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Ati i Shenjtë u nis nga Leximi i parë i liturgjisë së sotme, marrë nga Libri i Nehemisë.

         Aty përshkruhet populli, që dëgjonte leximin e Librit Shenjt në Jeruzalemin e rindërtuar pikërisht nga Nehemia, që pati marrë lejen nga mbreti persian Artaserks. Populli qante, sepse kishte nostalgji për qytetin e vet, ashtu si emigrantët e sotëm, kujtoi Papa në parantezë. Qe pikërisht Nehemia ai, që i bindi të kthehen e të rigjejnë në atë tokë, rrënjët e tyre, të cilat, pas shumë vjetësh në Babiloni, ishin dobësuar, por nuk kishin humbur krejtësisht. Gjetja e rrënjëve, pasi ishin rindërtuar qyteti, muret, Tempulli e pas shumë mundi nga ana e Nehemisë, shprehet përmes lotëve e ngashërimit, por Nehemia e fton popullin të festojë e jo të qajë, sepse u kujtua  se kujt i përket. “Pa rrënjë – nënvizoi Papa – nuk mund të jetojmë”:

         “Një person pa rrënjë, ose që i harron rrënjët e veta, është i sëmurë. T’i rigjejmë, t’i rizbulojmë rrënjët e të marrim forcë prej tyre për të ecur përpara, forcën për të dhënë fryte, do të thotë, me fjalët e poetit, ‘të marrim forcë për të lulëzuar, sepse gjithçka lulëzon në pemë, vjen nga ç’ka nën tokë’. Është fjala pikërisht për marrëdhëniet ndërmjet rrënjëve dhe së mirës, që mund të bëjmë”.

         Në këtë udhë, Nehemia profet hasi në shumë kundërshtime. Ata, që nuk donin ta shihnin si protagonist të rindërtimit të Jeruzalemit; ata që nuk donin të shkonin për ta ripopulluar qytetin, natyrisht, i shkaktuan një sërë problemesh, theksoi Papa:

         “Kundërshtitë vijnë nga ata, që preferojnë mërgimin e, edhe kur nuk kemi të bëjmë me mërgim fizik, ekziston mërgimi psikologjik: vetëizolimi i bashkësisë, i shoqërisë; ata që preferojnë të jenë popull i çrrënjosur, pa rrënjë. Duhet të mendojmë për këtë sëmundje të vetëizolimit psikologjik: na bën shumë keq. Na shkul rrënjët. Na heq përkatësinë”.

         Megjithatë, vijoi Papa me historinë e përshkruar në Librin e Nehemisë, populli ecën përpara dhe mbërrin dita e përfundimit të rindërtimit. Atëherë, populli mblidhet për të hedhur sërish rrënjë, pra, pohoi Ati i Shenjtë, për të dëgjuar Fjalën e Zotit, që e lexonte Esdra, siç thuhet në liturgjinë e sotme. E populli derdhte lot, por kësaj here nuk ishin lot për Babiloninë e lënë pas. “Ishin lotët e gëzimit, të takimit me rrënjët, të takimit me përkatësinë” kulturore. E Nehemia i fton të festojnë e jo të qajnë, sepse rigjetën rrënjët e veta:

         “Burri e gruaja, që i rigjejnë rrënjët e tyre, që i qëndrojnë besnikë popullit të cilit i përkasin, janë burrë e grua gëzimi e ky gëzim u jep atyre forcë. Nga lotët e trishtimit, në lotët e gëzimit; nga lotët e dobësisë për shkak të largësisë nga rrënjët e nga populli, në lotët e përkatësisë: ‘Jam në shtëpi. Jam në shtëpi’”.

         Papa Françesku i ftoi të pranishmit të lexojnë kapitullin VIII të Librit të Nehemisë dhe ta pyesin veten në se e harrojnë të kaluarën, gjithçka ka bërë Zoti për ta. Të kuptojnë në se nisin udhën për t’i gjetur rrënjët e tyre apo preferojnë të vetëizolohen psikologjikisht, të mbyllen në vetvete. E së fundi, vërejti Ati i Shenjtë, në se kemi frikë të qajmë, do të kemi frikë edhe të qeshim, sepse lotët e trishtimit për mëkatet tona na çojnë drejt pendimit e drejt faljes së Zotit, duke na sjellë lotë gëzimi. Prandaj, secili prej nesh duhet ta nisë udhën për të rigjetur rrënjët e për ta kuptuar kujt i përket.

05/10/2017 12:24