2017-10-05 15:16:00

Luigj Gjergji: dioqeza e Rrëshenit me formimin e të rinjve punon për të ardhmen.


Dioqeza e Rrëshenit me formimin e të rinjve punon për të ardhmen. Këtë e bënë edhe përmes shkollës së Mesme Profesionale jopublike “Shën Jozefi Punëtor”, në Rrëshen, në drejtimin e Etërve Somaskë.

Luigj Gjergji, drejtor didaktik i shkollës  Profesionale “Shën  Jozefi Punëtor” në Rrëshen, na njofton me këtë realitet  domethënës të dioqezës së Rrëshenit që është një shërbim i jashtëzakonshëm për të rinjtë e rrethit të Mirditës dhe Verilindjes së Shqipërisë. Shkolla “Shën Jozefi Punëtor” është një shkollë e mesme profesionale jopublike që drejtohen nga Etërit Samaskë. Për t’u njohur më hollësisht ta dëgjojmë, sot pjesën e parë, të bisedës sonë me drejtorin e shkollës, Luigj Gjergji..

Shkolla e Mesme Profesionale jopublike “Shën Jozefi Punëtor” - Dioqeza Rrëshen - Etërit Somaskë

Krijimi “Shën Jozefi Punëtor”.

Ideja nisi që nga viti 1998, nga P. Cristoforo Palmieri, asokohe Administrator Dioqezan i Dioqezës Rrëshen. Vitet e tij në Mirditë, me misionin Vinçencian, me seli në Rrëshen por me punë baritore dhe humanitare në gjithë zonën e Mirditës, e kishin bërë të kuptonte rëndësinë e formimit kulturor të të rinjve. Të rinjtë largoheshin nga zonat e thella të Mirditës ose drejt vendeve urbane të Shqipërisë, ose emigronin jashtë vendit. Kjo nisëm, sipas inisiatorit dhe grupit mbështetës, do të bënte të mundur që këta të rinj të largoheshin të formuar dhe të paraqiteshin me dinjitet në botën e punës në vende të ndryshme.

Nga i njëjti p. Cristoforo Palmieri, filloi fushata e kërkimit të fondit për blerjen e terrenit si dhe të ndërtimit të një strukture të përshtatshme për edukim. Në vitin 2001, kur P. Cristoforo gëzonte edhe emërimin si Administrator Apostolik i dhënë nga Papa Gjon Pali II, u arrit të merrej fondi nga Renovabis Gjermania për ndërtimin e kësaj Qendre.

Projekti që ishte paraqitur për kërkim fondesh, ishte përgatitur nga një studio projektuese nga Milano. Fondi i akorduar nga Renovabis nuk mjaftonte për këtë projekt, për këtë arsye p. Cristoforo Palmieri i kërkoi Parlamentit Shqiptar të amendonte me ligj heqjen e TVSH-së për ndërtimin e kësaj strukture. Në vitin 2001, me ligj të posaçëm u arrit heqja e taskës TVSH mbi ndërtimin dhe në vijim u vendos guri i parë i ndërtimit të kësaj Qendre.

Punimet u kryen nga e njëjta firmë që kishte ndërtuar edhe Katedralen e Rrëshenit, me seli në Elbasan. Ndërkohë që kryhej ndërtimi, u kërkua liçensa tek Ministria e Arsimit, që të hapej ent shkollor parauniversitar, por Ministria e Arsimit e asokohe rekomandoi Ministrinë e Punës për të pajisur Qendrën Profesionale “Shën Jozefi Punëtor” me Liçensën si Qendër Formimi Profesional me kurse të palimituara të ndryshme sipas kërkesave të të rinjve. Dhe kështu ndodhi.

Në Gusht të vitit 2004 Dioqeza Rrëshen miraton dhënien e drejtimit të kësaj Qendre të Kongregatës së Somaskëve, e cila ka realitete të tilla në shumë vende të botës. Kongregata e Somaskëve është themeluar në shek. e XV nga Shën Jeronim Miani, i shpallur nga Selia e Shenjtë si Pajtor i të rinjve të braktisur dhe Jetimëve. Shën Jeronimi në shek. XV kishte hapur qendra të këtij lloji duke ju ofruar të rinjve të braktisur dhe jetimëve, mundësi marrje zanati dhe mundësi punësimi për të siguruar jetën e tyre. Misionarët e parë që morën drejtimin e Qendrës ishin: P. Emidio D’Errico (deri në vitin 2012) dhe p. Vittorio Piubellini (deri në janar 2015). 

Në shtator 2004 u hapën regjistrimet për kurset 1 vjeçare: Elektrike, Hidraulike dhe kursin 4 mujor të Informatikës. Regjistrimet ishin të trefishta nga sa ishte menduar të pranoheshin nëpër klasa, për këtë arsye të regjistruarit ju nënshtruan një kursi kulture të përgjithshme. Në këtë mënyrë u formuan klasat e para në këto profile profesionale dhe më datë 9 nëntor 2004 filloi mësimi për herë të parë në këtë realitet formues profesional.

Shkolla dhe aktiviteti formues profesional.

Shkolla Profesionale “Sh. Jozefi Punëtor” është themeluar në Rrëshen, në rrethin e Mirditës, në Verilindje të Shqipërisë, në shtator të vitit 2004, është në pronësi të Dioqezës Rrëshen dhe administrimi i saj i është besuar Kongregatës së Etërve Somaskë të cilët kanë qindra shkolla të tilla në shumë vende të botës dhe që punojnë në këtë sektor që në shek. XV kur themeluesi i tyre Shën Jeronim Miani u shërbente të rinjve të braktisur dhe jetimëve.

Shkolla ka status jofitimprurës, nën siglën Qendra Profesionale Sh.J.P. me nr NIPT K39010092Ë, bazuar në vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë dhe në Liçensën e lëshuar nga QKL (Qendra Kombëtare e Liçensimit).

Duke qenë e realizuar në mes të një konteksti gjeografik, Rrësheni me fshatrat e thella të Mirditës, dhe të një niveli socio-ekonomik me mungesë të theksuar mundësie punësimi, ky projekt i kësaj Shkolle është një ofertë unikale ndaj të rinjve dhe një frenim i emigrimit të tyre, duke ju ofruar një formim profesional me elementët teorik dhe praktik për një hyrje më të mundshme dhe të shpejtë në tregun e punës.

Familjet zgjedhin çdo vit e më të shumtë në numër këtë realitet shkollor edhe për aktivitetin edukativ të veçantë për promovimin njerëzor dhe social-kulturor, të perfeksionuar vit pas viti.

Informacion mbi formatin e shkollës, klasat, nr. i nxënësve, profesionet dhe sa kanë mbaruar e ku kanë shkuar.

Çfarë është realizuar deri më tani?

Nga viti 2004 - 2012 ky realitet ka funksionuar si Qendër e Formimit Profesional dhe janë realizuar kurse 4 mujore, 1 vjeçare dhe 2-vjeçare profesionale, për kursantë të moshës 16 vjeç e më shumë, përkatësisht në profilet: Elektrike, Hidraulike, Informatike, Mekanike, në një strukturë të ndërtuar në vitin 2004 nga organizatat Renovabis (Gjermani) dhe OTAA (Zvicër), me klasa dhe laboratorë të nevojshëm për formimin përkatës.

Ka patur një mesatare kursantësh çdo vit shkollor rreth 100 persona duke arritur të lëshohen çertifikata kualifikimi për rreth 800 persona në 8 vite funksionimi si Qendër profesionale.

Këta të kualifikuar kanë punuar që në fillim me firma vendase dhe të huaja që punonin në Veri të Shqipërisë, sidomos në projektin e autostradës që lidh Shqipërinë me Kosovën e që nis nga Rrësheni, por edhe në firma dhe ndërmarrje të tjera. Disa prej tyre kanë emigruar dhe na rezulton se punojnë në profesionin e përfituar nga këto kurse, sidomos në Shtetet Itali dhe Greqi dhe Gjermani.

Çfarë po zhvillohet?

Më datë 2 maj 2012, MASH (Ministria Arsimit dhe Shkencës, sot MAS) nëpërmjet QKL, liçenson Qendrën profesionale për aktivitetin edhe si Shkollë e Mesme Profesionale Jopublike duke u futur në sistemin parauniversitar të Republikën e Shqipërisë.

Profilet e liçensuara janë Instalime sistemesh termo-hidraulike, Elektroteknike, Shërbime mjetesh transporti, Hoteleri-turizëm, Shërbime sociale dhe shëndetësore, të gjitha të ndara sipas niveleve 2+1+1 vite dhe TIK (Teknologji informimi dhe komunikacioni) 2+2 vite.

Tashmë është viti i pestë i funksionimit si Shkollë e mesme profesionale dhe kemi 4 degë të hapura, përkatësisht Instalime sistemesh termo-hidraulike, Elektroteknike, Shërbime mjetesh transporti, TIK, dhe kemi klasa të 10,  11, 12, 13 për të 4 degët.

Numri i nxënësve në vitin shkollor në vijim 2015-2016 ishtë 339 nxënës, të shpërndarë në 16 klasa, ndërsa në vitin shkollor në vijim 2016-2017 është 413, si dhe shihet qartë tendenca në rritje e interesit të regjistrimeve.

Nxënësit përgjithësisht vijnë nga zona të ndryshme të Veriut: Pukë, Mat (Suç, Bushkash, Ulëz, Baz), Lezhë (Balldren, Torovicë, Tale, Shënkoll, Rrilë), Kurbin (Laç, Fushë-Milot, Mamurras, Adriatik,) si dhe nga Rrësheni e Rubiku dhe fshatra të Mirditës, por edhe të Shqipërisë qendrore: Tiranë, Durrës, Elbasan, Fushë-Krujë.

Nxënësit vijnë përgjithësisht nga familje me vështirësi ekonomike. Kemi edhe nxënës me aftësi të kufizuar si dhe me probleme sociale siç është gjakmarrja, duke ju siguruar zhvillimin e aktivitetit mësimor në formë të plotë.

Pagesa që kryhet nga nxënësit është nën 30% të kostos së shpenzimeve, në formë bashkëpunuese dhe jo fitimprurëse, si dhe shpesh, edhe këto pagesa vijnë nga Italia apo vende të tjera europiane, në formë adoptimi në distancë nga bamirës të atyre vendeve.

Në vitin 2013 është inaguruar struktura e 2-të e kësaj Shkolle me financimin e RENOVABIS-Gjermani, duke shtuar kapacitetin e klasave dhe laboratorëve.

Në këtë periudhë Shkolla ka këto ambjente:

16 klasa teorie, 7 laboratore praktike, 2 salla polivalente, një sallë konference me kapacitet 300 persona, 3 salla studimi për pasditen, 1 palestër, 2 salla mësuesish, 1 sallë shëbimi psikologjik, 5 ambjente zyrash dhe administrate, 2 ambjente kuzhine, 2 salla ngrënieje, 8 dhoma fjetjeje për konviktorët.

Në këtë vit shkollor po punohet për hapjen e degës Hoteleri-Turizëm me mbështetjen e Provincës autonome të Trento-Itali.

Informacion mbi kapacitetet e strehimit, konviktit.

Gjatë këtyre viteve u është ofruar edhe konvikt të rinjve që vinin nga zona të thella e të largëta. Edhe këtë vit konvikti ka pranuar 96 të rinj, të cilët përveç përkushtimit shkollor, janë subjekt edhe e një eksperience socializimi dhe rritjeje njerëzore. Këta persona qëndrojnë nga e hëna deri të premten, duke ju ofruar të gjitha shërbimet jetike si dhe mundësinë e ndjekjes në studim në kohën e pasdites. Përveç kësaj zhvillojnë program social me takime kulturore.

Informacion mbi standartin e mësimdhënies dhe programeve mësimore. 

Personeli i shkollës është i përbërë prej 52 persona: 3 italianë të kongregatës që e administrojnë, 31 mësues (nga Rrësheni, Rubiku, Lezha), 1 drejtor didaktik, 1 sekretare, 19 personel ndihmës.

Programi mësimor është i miratuar nga Ministria e Arsimit. Janë programet arsimore inovative të kulturave profesionale të degëve të zgjedhura dhe njësoj me Institutet profesionale Europiane. Programi i Termo-Hidraulikes është program zviceran.

Nxënësit përveç kurrikulës profesionale përkatëse, i nënshtrohen edhe lëndëve të kulturës së përgjithshme dhe  gjuhëve të huaja, anglisht dhe italisht. Degët me sistemin 2+1+1 vite (3 nivele) dhe 2+2 vite (2 nivele),  në fund të çdo niveli, kanë provim dhe çertifikim profesional ndërsa në fund të ciklit 4 vjeçar, përveç provimit profesional, i nënshtrohen edhe provimit të maturës shtetërore, për të qenë më pas subjekt të sistemit Universitar.

Mësuesit e praktikës profesionale janë të gjithë të profilit përkatës, inxhinjerë ose instruktorë të mesëm profesionalë, si dhe të formuar në module të ndryshme didaktike, pedagogjike apo profesionale, gjë të cilën e azhornojnë vit pas viti me trajnime të ndryshme, brenda dhe jashtë shkollës. Mësuesit e kulturës së përgjithshme janë të gjithë të lëndëve përkatëse dhe me portofol profesional të plotë. Edhe këta mësues çdo vit i nënshtrohen trajnimit profesional dhe pedagogjik.

Në kurse trajnimi të ndryshme të organizuara nga Shkolla, kanë marrë pjesë edhe mësues të shkollave të tjera.

Informacion mbi kompanitë që kanë interes ti punësojnë dhe puna praktike.

Që në vitin e parë si shkollë u arrit bashkëpunimi me shumë ndërmarrje private, ofiçina mekanike, ndërmarrje hidraulike, skuadra elektrike dhe kompani informatike, në mënyrë që nxënësit të mund të kryenin praktikën profesionale pranë këtyre enteve private.

Përveç praktikës profesionale që kryejnë në laboratoret e shkollës, të kompletuara sipas nevojës së kurrikulës profesionale, nxënësit i nënshtrohen edhe praktikës profesionale në industri.

Vit pas viti kjo gjë ka ardhur duke u shtuar, edhe sepse programi i praktikës profesionale në industri bëhet më i domosdoshëm.

Janë të shumta firma që pranojnë nxënësit në bazë të marrëveshjes me Shkollën, si dhe të tjera që marrin informacion mbi ecurinë profesionale të nxënësve, në mënyrë që ti rekrutojnë pranë ndërmarrjeve të tyre, sapo të kenë mbaruar ciklin arsimor profesional.

Viti shkollor i kaluar, është viti i parë që plotësojmë ciklin 4 vjeçar, gjithsesi nxënësit që janë shkëputur pas nivelit të parë apo të dytë, pasi kanë marrë çertifikatat profesionale të këtyre niveleve, janë angazhuar në punë private në profilet e kualifikuar.

Rëndësia e këtij realiteti formues profesional.

Duke patur parasysh rëndësinë e formimit profesional sidomos për vende në zhvillim siç është Shqipëria, thekosjmë rëndësinë e këtij realiteti shkollor në Shqipëri. Është e vetmja shkollë e këtij lloji në veri-lindje të Shqipërisë.

Gjithashtu, falë infrastrukturës së ndërtuar, Shkolla është në pozicion strategjik për tu arritur nga nxënës të rretheve të shumta të Veriut të Shqipërisë Kukës, Pukë, Tropojë, Dibër, Bulqizë, Mat, Lezhë, Kurbin, si dhe të Qendrës së Shqipërisë, Tiranë, Durrës, Fushë-Krujë, si dhe falë autostradës që lidh me Kosovën, në largësi të vogël kohore me Prizrenin dhe vende të tjera të Kosovës jug-perëndimore.

Falë këtyre aspekteve të rëndësishme për jetën shkollore të vendit, por edhe falë punës serioze të stafit mësimdhënës, Shkolla është vizituar ndër vite nga Autoritete të ndryshme Shtetërore, nga Presidenti Republikës z. Bamir Topi në vitin 2008 si dhe Ministra të ndryshëm ndër vite, ndërsa vitin shkollor 2014-2015 është vizituar edhe nga Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama, në tetor 2014, bashkë me 3 Ministra të kabinetit të tij, përfshirë Ministrin e Çeshtjeve Sociale dhe Ministren e Arsimit, dhe në Mars 2015 nga Presidenti i Republikës z. Bujar Nishani.

Në muajin tetor 2015 jemi përzgjedhur nga Ministria e Brendshme për një projekt sensibilizimi për të rinjtë kundra trafikimit të qenieve njerëzore.

Natyrisht prestigji më i madh dhe i rëndësishëm është ai që vjen nga familjet të cilat i besojnë kësaj Shkolle fëmijët e tyre për formimin njerëzor, kulturor dhe profesional, duke qenë çdo vit e më të shumtë, nga zona të ndryshme të Shqipërisë.

Stafi drejtues:

Presidenti: Ipeshkvi i Dioqezës Rrëshen, + Mons. Gjergj Meta

Drejtori i Shkollës: P. Michele Leovino, misionar.

Drejtori i Konviktit: P. Leonidio Biancotto, misionar.

Përgatiti:

Luigj Gjergji

Drejtor Didaktik i Shkollës








All the contents on this site are copyrighted ©.