Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Papa Françesku në audiencë: të krishterët janë misionarë të shpresës

Papa Françesku në audiencën e përgjithshme - ANSA

04/10/2017 13:51

“Ne nuk jemi profetë fatkeqësish”: Jezusi dëshiron njerëz, që e përhapin shpresën përmes mënyrës së tyre për t’i dashur të tjerët. Në audiencën e përgjithshme, Papa Françesku vijoi edhe sot ciklin e reflektimeve mbi shpresën e krishterë, duke përvijuar ç’do të thotë të jemi misionarë të shpresës sot. Dëshmitar i madh i shpresës ka qenë pa dyshim Shën Françesku i Asizit, festën liturgjike të të cilit Kisha e feston sot e, po ashtu, edhe të krishterët e persekutuar në Lindjen e Mesme, që Ati i Shenjtë i përmendi gjatë audiencës.

Thelbi i kumtit të krishterë është i kundërt me atë të profetëve të fatkeqësive, që ndjellin keq, shpjegoi më tej Papa. Ai është të shpallësh se Zoti ynë Jezu Krishti vdiq për hir të dashurisë për ne dhe se Hyji e ngjalli në mëngjesin e Pashkëve. Ungjilli, theksoi Françesku, do të ishte vetëm një libër ngushëllues, nëse do të ndalej në varrimin e Krishtit. Jezusi ngjallet e, jo vetëm për vetveten, por për të gjithë njerëzimin. Pra, ngjallja e Krishtit na shndërron edhe ne.

Bëhemi kështu lajmëtarë të Ringjalljes, jo vetëm me fjalë, por me fakte e me dëshminë e jetës. Vërtet, nënvizoi sërish Papa, Jezusi nuk do “dishepuj të aftë vetëm për të përsëritur formula të mësuara përmendësh”, por “dëshmitarë, që e përhapin shpresën me mënyrën e tyre të mikpritjes, të buzëqeshjes” e sidomos të dashurisë për tjetrin. Forca e Ngjalljes së Krishtit i bën të krishterët të aftë për të dashur, edhe kur vetë dashuria duket sikur nuk ka më arsye për të ekzistuar. Kjo “diçka” më tepër në jetën e krishterë nuk shpjegohet thjesht me forcën shpirtërore, vijoi Papa. Shpresa jonë nuk është vetëm optimizëm. “Ne jemi njerëz me një copë qiell më shumë mbi krye”.

Të krishterët, kërkoi Ati i Shenjtë, duhet të krijojnë “hapësira shprese”, të jenë “qeliza përtëritëse, të afta ta ushqejnë me limfë atë, që dukej e humbur përgjithmonë”, të dinë të flasin për diell, kur gjithçka është e mbuluar nga retë. I krishteri i vërtetë, theksoi Ati i Shenjtë në audiencën e përgjithshme, nuk ankohet, nuk zemërohet, por është i bindur se “asnjë e keqe nuk vazhdon pa fund, asnjë natë nuk vijon në amshim, asnjë njeri nuk është i gabuar një herë e përgjithmonë” e “asnjë urrejtje nuk i reziston dot dashurisë”.

Nganjëherë është fjala për një shpresë, që paguhet me çmim tepër të lartë nga dishepujt e Krishtit, nënvizoi Papa Françesku, duke iu referuar të krishterëve të shumtë të persekutuar – për shembull, në Lindjen e Mesme – “që japin dëshminë e shpresës, duke flijuar edhe jetën për këtë dëshmi. Këta janë të krishterët e vërtetë, eh! Këta mbajnë qiellin në zemër, shohin përtej, gjithnjë përtej!”.

Martirët e çdo kohe dëshmojnë se padrejtësia nuk është fjala e fundit në jetë. Kush ka një qëllim, e di përse jeton, reziston më shumë se të tjerët në kohë të vështira, nënvizoi Papa. Por të krishterët nuk janë të marrë: butësia e tyre nuk duhet ngatërruar me ndjenjën e pasigurisë e të nënshtrimit. Kur bien, ringrihen gjithnjë, sepse ‘i krishteri është misionar shprese”, përfundoi Papa Françesku katekizmin e audiencës së përgjithshme.

 

04/10/2017 13:51