Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Papa në audiencë: Zoti e mbroftë Lindjen e Mesme nga terrorizmi

Papa Françesku në audiencën e përgjithshme - AFP

04/10/2017 14:34

“Zoti ju bekoftë të gjithëve dhe e mbroftë vendin tuaj, Lindjen e Mesme dhe botën mbarë nga çdo e keqe, nga çdo terrorizëm dhe nga Qoftëlargëti!”. Kjo lutja e Papës Françesku, gjatë përshëndetjes së shtegtarëve ardhur nga Egjipti, në audiencën e sotme të përgjithshme në Vatikan.

“Kujtoj me dashuri – shtoi Ati i Shenjtë – vizitën time apostolike në tokën tuaj të mirë e ndër popullin tuaj bujar; tokë ku ka jetuar shën Jozefi, Virgjëra Mari, Krishti Fëmijë e shumë profetë; tokë e bekuar në shekuj nga gjaku i çmuar i martirëve dhe i të drejtëve; tokë bashkëjetese e mikpritëse; tokë takimi, historie e qytetërimi”.

Edhe gjatë katekizmit, duke folur për persekutimin e të krishterëve, Papa Françesku përmendi Lindjen e Mesme. “Nganjëherë – theksoi – dishepujt e paguajnë me çmim tepër të lartë shpresën, që u dhuron Jezusi. Le të mendojmë për të krishterët e shumtë, që nuk e braktisën popullin, kur erdhi koha e persekutimeve. Mbetën aty, ku edhe e nesërmja ishte e pasigurtë, ku nuk mund të bëheshin plane për asgjë; mbetën aty, duke shpresuar në Zotin”.

Besimtarët egjiptianë, shpjegoi Papa, ndodhen këto ditë në Romë për bekimin e fugures, që përshkruan ikjen nga Egjipti të Familjes Shenjte, për t’u larguar nga shtypja dhe padrejtësia e mbretit Herod. Delegacioni kryesohet nga ministri egjiptian për Turizmin, Yahya Rashid, në kuadrin e promovimit të shtegtimit përgjatë të ashtuquajturës “Udha e Familjes Shenjte”. Projekti u paraqit sot në Romë.

 Në kohën e Jezusit, rrugët që çonin nga Palestina në Egjipt, ishin tre. Sipas burimeve historike kopte, Familja Shenjte, nga frika se mos e njihnin, nuk mori asnjërën prej këtyre udhëve e, kur mbërriti në Egjipt, u zhvendos vazhdimisht, për arsye sigurie. Prandaj, janë të shumta vendet e kultit të krishterë, që lidhen me kalimin e Jezusit, të Jozefit e të Marisë, aq sa mund të bëhet një hartë me to. Itinerari fillon nga bregdeti mesdhetar, kalon nga delta e Nilit, pastaj nga vetë lumi e ndjek rrjedhën e tij, në drejtim të jugut, deri në qytetin e sotëm Assiut. Tradita popullore nuk e thotë gjithnjë në se një vend i caktuar është vizituar gjatë rrugës së shkuarjes apo gjatë kthimit. Gjithsesi, etapat e ndryshme vihen në dukje me kapela, shenjtërore, kuvende e madje, edhe pemë, që prej dymijë vjetësh tërheqin në shtegtim besimtarët koptë. 

04/10/2017 14:34