Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha në botë

Filloi Kongresi për dinjitetin e të miturve në botën dixhitale

Kongresi në Universitetin Gregorian - REUTERS

04/10/2017 12:24

U hap dje në Romë, në Universitetin Papnor Gregorian, Kongresi ndërkombëtar “Dinjiteti i të miturve në botën dixhitale”, organizuar nga Qendra për Mbrojtjen e të Miturve të këtij ateneu. Gjatë punimeve, do t’i kushtohet vëmendje studimeve shkencore dhe teknike në këtë fushë, përmes kontributit të 140 ekspertëve ndërkombëtarë, të ftuar nga Qendra e Gregorianës dhe nga partnerja e saj, Aleanca Globale WePROTECT. Për tematikat e Kongresit, pyetëm baroneshën Joanna Shields, themeluese e kësaj shoqate globale:

Kur merresha me Facebook-un në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë, filluam të punojmë me COP, një organizatë për mbrojtjen “on line” të të miturve, me seli në Mbretërinë e Bashkuar, si edhe me FBI-në e me departamentin evropian të drejtësisë. Këtu u bë e qartë sa i madh ishte krimi, një problem, që i kapërcente kufijtë gjeografikë. Kështu, kryeministri britanik, David Cameron, kontaktoi presidentin amerikan Obama dhe organizuan një grup pune teknologjik për ta përballuar problemin. Dy vendet bashkëpunuan, sepse ishte e nevojshme të ishim shumë të fortë. Kështu, unë formova organizatën “WePROTECT”.

Mbrojmë palët e interesuara përmes një qasjeje globale. Forcat e policisë, rreth 70 qeveri, ojq e industri teknologjike punojnë së bashku për të shkëmbyer informacionin, për të identifikuar sfidat dhe problemet, për të ndjekur kriminelët përtej kufijve, për t’ia dorëzuar ata drejtësisë e për të mbrojtur viktimat. Me teknologjinë, që zhvillohet me ritme të shpejta, sfida është e madhe. Mjafton të mendojmë se më se 3 miliard njerëz lidhen me internet në gjithë planetin. Këtu në Romë duam të studiojmë së bashku me ekspertët si ndikon e gjithë kjo mbi psikologjinë e të rinjve, mbi fiziologjinë dhe shëndetin e tyre mendor. Kisha është e interesuar që brezi i ri të mbrohet, pasi brezat e ardhshëm do të jetojnë përmes monitorëve, të lidhur me internetin e produktet e tij.

04/10/2017 12:24