2017-10-03 12:59:00

Papa Françesku: t’i kërkojmë Jezusin guximin për ta ndjekur nga afër


Jezusi është nisur vendosmërisht udhës me dishepujt drejt Jerusalemit sepse “po vinin (plotësoheshin) ditët kur do të jetë ngritur lartë nga kjo botë”. Janë fjalët e fillimit të Ungjillit të sotëm nga Luka (9,51-56) dhe është afruar çasti i mundimeve dhe i kryqit, përballë të cilit, siç vërejti Papa Françesku në homelinë e Meshës, kremtuar në mëngjes në kapelën e shtëpisë së Shën Martës në Vatikan, Jezusi bënë dy gjëra: “mori vendim të palëkundshëm të shkojë në Jerusalem”, këndej e pranon vullnetin e Atit dhe shkon përpara, e pastaj “këtë ua kumton dishepujve të vet”.

“Vetëm një herë” kujtoi në homeli Papa Françesku Jezusi “mori lejen për t’i kërkuar Atit ta largojë paksa këtë kryq: ‘Ati im, – në Kopshtin e Ullinjve – nëse është e mundur, largoje prej meje këtë kelk mundimesh! Megjithatë, le të bëhet, jo si dua unë, jo vullneti im, por si do ti, vullneti yt’.  Jezusi është i bindur ndaj asaj që do Ati. I vendosur dhe i bindur e asgjë më shumë. E kështu, deri në mbarim, deri në fund. Zoti hyn në durim...Hyn në durim. Është një shembull se duhet përshkuar udha, jo vetëm drejt vdekjes duke vuajtur mbi kryq, por si ecën udhës me plot durim” për të kryer vullnetin e Atit.

Mirëpo para këtij vendimi, para udhës drejt Jerusalemit dhe drejt kryqit, dishepujt nuk e mbështesin Mësuesin e tyre. Kështu tregojnë faqet e ndryshme të Ungjijve që Papa Françesku përmendi në homelinë e Meshës së mëngjesit. Nganjëherë dishepujt “nuk e kuptonin se çka donte të thoshte a nuk donin ta kuptonin, sepse ishin të frikësuar”; nganjëherë tjetër “ e fshihnin të vërteten a hutoheshin duke bërë “gjëra tjera”; apo, siç lexojmë në Ungjillin e sotëm, “ kërkonin një justifikim për të mos menduar” për atë që e priste Zotërinë Jezus.

“E Jezusi ishte vetëm. Nuk u shoqërua a nuk u mbështet në këtë vendim, sepse askush nuk e kuptonte misterin e Jezusit. Vetmia e Jezusit udhës drejt Jerusalemit: ishte vetëm. E kështu, deri në fund. Le të mendojmë pastaj për braktisjen e dishepujve, për tradhtinë e Pjetrit....Vetëm. Kishte vetëm këtë shoqëri. Vetminë, ishte Vetëm!.

Ja vlen, e ky është sugjerimi final i Papës sot, të “marrim pak kohë për të menduar” në Jezusin që “kaq shumë na ka dashur”, “që ka ecur “vetëm drejt kryqit” në moskuptimin e të vetëve. “Të mendojmë”, “të shohim”, “të falënderojmë” Jezusin, të bindur e guximtar, e “të zhvillojmë me të një bisedë”. E këtë Papa Françesku na sugjeron me këto fjalë:

“Sa herë unë kërkoj t’i bëjë gjërat e nuk Të shikoj, nuk shoh atë që Ti ke bërë për mua? Ti që u tregove njeri plot durim – njeri i durueshëm, Zot i durueshëm-, që me kaq durim i toleron mëkatet e mia, dështimet e mia? E të flasim kështu me Jezusin. Ai është përherë i vendosur të shkojë përpara, të ballafaqohet, e ta falënderojmë. Të marrim pak kohë, pak minuta – pesë, dhjetë, pesëmbëdhjetë – para të Kryqëzuarit ndoshta a me imagjinatë ta vështrojmë Jezusin që ecën vendosmërisht udhës drejt Jerusalemit e t’i kërkojmë hirin për të pasur guximin për të ndjekur nga afër”.








All the contents on this site are copyrighted ©.