Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Kalendari

Më 4 tetor kalendari kishtar kujton Shën Françeskun e Asizit.

shën Françesku Asizit - ANSA

03/10/2017 17:29

Më 4 tetor kalendari kishtar përkujton  Shën Françeskun e Asizit. Nga një rini e shkujdesur e plot dëfrime, Françesku posa ndjeu mëshirë për të gërbulurit, u kthye në rrugën e Ungjillit dhe e jetoi pa asnjë lëkundje, në varfëri e në gëzim, duke e ndjekur Krishtin e përvuajtur, të varfër e të pastër, sipas shpirtit të lumnive. Së bashku me vëllezërit e parë që e ndiqnin, të tërhequr nga forca e shembullit të tij, predikoi kudo dashurinë e Zotit, duke dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme në përtëritjen e Kishës.

I dashuruar me Krishtin, e përqendroi përvojën e tij shpirtërore në kundrimin e Shpellës së Betlehemit e të Kalvarit. Mbarti në korpin e vet shenjat e Mundimeve të Krishtit: pesë plagët. Në të, ashtu si në mistikët më të mëdhenj, u shkrinë harmonia me gjithësinë, të cilës i këndoi mrekullisht në Këngën e Krijesave. Qe frymëzues e Atë i familjeve rregulltare mashkullore e femërore që morën prej tij emrin “françeskane”. Piu XII e shpalli Pajtor të Italisë më 18 qershor 1939.

Urdhri françeskan nisi së pari në Asizi të Italisë, por shumë shpejt u përhap në vise të tjera të botës, e kështu edhe në Shqipëri e në trevat tjera shqiptare si në Kosovë e Mal të Zi. E sot, ndër të gjitha Kishat françeskane të botës u kremtua festa e Shën Françeskut, që me shembullin e vet vijon të tërheqë mijëra njerëz të kombësive të ndryshme në rrugën e Krishtit Zot e Shpëtimtar.

Shën Françesku i Asizit i cili, duke i përngjarë Krishtit, hoqi dorë nga pasuritë tokësore, na mësoi, kështu, se duhet të jemi të thjeshtë, të përvujtë e të pastër, që kur ta lemë këtë botë, ta marrim shpërblimin për dashuri. Të mësojmë nga Shën Françesku për ta jetuar fjalë për fjalë Ungjillin.

Lutja e shën Françeskut
O Zot, më bëj të jem mjet i paqes Sate:
ku ka urrejtje – unë ta sjell dashurinë,
ku ka fyerje – unë ta sjell faljen,
ku ka mospajtim – unë ta sjell bashkimin,
ku ka mashtrim – unë ta sjell besimin,
ku ka dëshpërim – unë ta sjell shpresën,
ku ka terr – unë ta sjell dritën,
ku ka pikëllim – unë ta sjell gëzimin.

O Zot, bëj që mos të kujdesohem aq
që të jem ngushëlluar – sa të ngushëlloj,
që të më kuptojnë – sa t’i kuptoj unë të tjerët,
që të më duan – sa të dua.

Sepse: kush dhuron vetveten – e fiton vetveten;
kush harron vetveten – e gjen vetveten;
kush fal – do t'i falet;
kush i vdes vetvetes – lind për jetën e amshuar.

KËNGA E KRIJESAVE
I Tejetlarti, i Gjithpushtetshmi,
o Zoti ynë i mirë!
E jotja është lavdia, lumturia,
nderi dhe çdo bekim.
Këto Të takojnë vetëm Ty,
ndërsa asnjë njeri nuk është i denjë
as emrin e shenjtë që Ta përmendë.

Qofsh lëvduar, o Zoti im,
me të gjitha krijesat e Tua –
posaçërisht me vëllain,
zotërinë Diellin.
Prej tij na vjen dita
dhe ai na ngroh me rreze të veta.
Ai është i bukur
dhe plot me dritë shkëlqyese,
i përngjan, o i Larti,
dritës Sate të hyjnueshme.

Qofsh lëvduar, o Zoti im,
përmes motrës sonë Hënës
dhe vëllezërve yje!
Ata të shkëlqyeshëm,
të dashur dhe të bukur
i ke shpërndarë nëpër qiellin Tënd.

Qofsh lëvduar, o Zoti im,
përmes motrës sonë Erës,
përmes Ajrit dhe Reve
dhe Kthjelltësisë së shkëlqyer,
dhe përmes të gjitha
moteve të Tua,
me të cilat i mban krijesat e Tua.

Qofsh lëvduar, o Zoti im,
përmes vëllait tonë Ujit.
Ai është shumë i dobishëm,
i përvujtë, i çmueshëm dhe i pastër.

Qofsh lëvduar, o Zoti im,
përmes vëllait tonë Zjarrit,
i cili natën e errët na e shndrit.
Ai është i bukur dhe i këndshëm,
i fortë dhe përvëlues.

Qofsh lëvduar, o Zoti im,
përmes motrës sonë Tokës.
Ajo na ushqen dhe na mban,
na jep fryte të ëmbla, lule të larme dhe gjelbërim.

Qofsh lëvduar, o Zoti im,
përmes atyre që falin
për dashuri tënde,
dhe i pësojnë me gëzim
vuajtjet jetësore.
Të lumët ata që çdo gjë e bëjnë me paqe,
sepse do t'i kurorëzosh
me kurorë të amshuar.

Qofsh lëvduar, o Zoti im,
përmes motrës sonë
vdekjes së trupit,
cilës asnjë i vdekshmi
nuk do t'i ikë.

Të mjerët ata, që vdesin
me mëkat të rëndë!
Kurse të lumët ata, të cilët Ti i gjen
sipas dëshirës Sate të shenjtë,
sepse vdekja tjetër
nuk do t'i humbasë!

Lavdëronie dhe bekonie Zotin tim,
falënderonie Atë,
shërbeni Atij të gjithë
me përvujtni të madhe!

03/10/2017 17:29