2017-10-03 14:59:00

Gallagher: krerët fetarë t'i nxisin shtetet të mbrojnë njerëzit


“Përgjegjësia për të mbrojtur banorët është objektivi kryesor i shteteve dhe i së drejtës penale”. Kështu, Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, në asamblenë e përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ku para pak ditësh, flitej për planin global të luftës kundër trafikut të njerëzve.

         Prelati përmendei hapat e para në këtë fushë, shënuar me Deklaratën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 4 korrik 1776 dhe me Deklaratën për të drejtat e njeriut e të qytetarit në Francë, më 26 gusht 1789, që përcaktuan barazinë e çdo qytetari para ligjit, bazë e së drejtës penale të sotme.

         “Sesioni i 60-të i Asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara – vijoi imzot Gallgher shpjegimin e tij – ka përcaktuar tri shtylla mbi të cilat mbështetet koncepti ndërkombëtar i përgjegjësisë së mbrojtjes e ato janë: së pari, shtetet kanë përgjegjësi në mbrojtjen e popullsive nën jurisdiksionin e tyre nga genocidet, krimet e luftës, spastrimet etnike dhe krimet kundër njerëzimit; së dyti, bashkësia ndërkombëtare duhet t’i ndihmojë shtetet në këtë detyrë e, së fundi, kur një shtet dështon, është bashkësia ndërkombëtare ajo, që duhet të kujdeset për këto popullsi”.

         Natyrisht, vërejti prelati i lartë, asnjë shtet nuk mund të sulmojë një tjetër me pretekstin e zbatimit të përgjegjësisë për mbrojtje. Për të respektuar këtë parim, detyrë të rëndësishme kanë edhe krerët fetarë. Ata, nënvizoi imzot Gallagher, “mund ta ndihmojnë shoqërinë të kuptojë konceptin e përgjegjësisë së mbrojtjes, e cila bën pjesë në vlerat e të gjitha feve të mëdha të botës, që pohojnë parimet etike të ndihmës së ndërsjelltë. Vlera e parë është detyra e të gjithëve për të respektuar jetën e të tjerëve, si edhe ajo e qeverive për të mbrojtur qytetarët e tyre”.

         Duke kujtuar fjalët e Papës Françesku në Takimin ndërfetar, gjatë vizitës së Atit të Shenjtë në Azerbajxhan, imzot Gallagher citoi: “Fetë, në ndihmën për të dalluar të mirën e për ta vënë atë në praktikë me vepra, me lutje dhe me mundin e punës shpirtërore, janë të thirrura të punojnë për kulturën e takimit e të paqes, që realizohet me durim, mirëkuptim, hapa të përvuajtura dhe konkrete. Kështu shërbehet shoqëria njerëzore. Ajo, nga ana e saj, duhet të fitojë gjithnjë mbi tundimin për ta përdorur sipas qejfit faktorin fetar: fetë nuk duhen instrumentalizuar e nuk mund të shërbejnë për konflikte e kundërshti”.

         Krimet e shekullit XX, nënvizoi imzot Gallgher në OKB, ndodhën kur ideja e Zotit dhe e vëllazërimit universal, karakteristikë për fetë e mëdha, u zëvendësua nga ideologjitë e epërsisë racore e kombëtare, ose nga lufta e klasave. Pikërisht për rëndësinë e një feje të lirë nga çdo lloj intolerance, patën folur në dy udhëtime apostolike në Tiranë, si shën Gjon Pali II, ashtu edhe Papa Françesku.

         “Si besimtarë – pati nënvizuar Papa Françesku gjatë vizitës në kryeqytetin e Shqipërisë, në shtator 2014 – duhet të jemi veçanërisht vigjilentë që feja dhe etika, të cilat i jetojmë me bindje dhe i dëshmojmë me pasion, të shprehen gjithnjë në qëndrime të denja për atë mister, që synojnë ta nderojnë, duke refuzuar me vendosmëri si të pavërteta, pasi jo të denja as për Zotin e as për njeriun, të gjitha format, që përfaqësojnë shtrembërim të fesë. Feja e vërtetë është burim paqeje e jo dhune! Askush s’mund ta përdorë emrin e Zotit për dhunë! Të vrasësh në emër të Zotit është sakrilegj i madh! Të diskriminosh në emër të Zotit është çnjerëzore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.