2017-10-03 11:36:00

66-vjetori i themelimit të Programit Shqip pranë Sekretarisë së Selisë së Shenjtë për Komunikim


66 vjet më parë, më 3 tetor 1951, fillonte transmetimi i parë i Radio Vatikanit në gjuhën shqipe. Është e natyrshme, prandaj, që sot në transmetimin tonë ta kujtojmë këtë ngjarje të madhe, duke përshkuar me kujtime e me zëra 66 vjet jete kombëtare e kishtare, kulturore, politike e shoqërore, me gëzime e hidhërime, me arritje e humbje, gjithnjë me shpresën që buron nga Ungjilli i Krishtit.

        (Sigla aktuale)

Kjo sigël, që vijon të dëgjohet sa herë hapet stacioni i Radio Vatikanit, na kujton së pari shërbimin që u bëri emitentia e Selisë së Shenjtë katolikëve të izoluar pas perdes së hekurt, që nuk kishin asnjë mundësi të komunikonin me Selinë Apostolike dhe me Kishën universale në periudhën e gjatë të diktaturës komuniste.

                    (Sigla parë e vjetër)

Ndërsa kjo që po dëgjoni tani, është sigla e parë e redaksisë shqipe pranë Radio Vatikanit, që nisi të transmetonte në kushtet e diktaturës  komuniste në Shqipëri dhe për të njëjtin shërbim, më 3 tetor të vitit 1951, 66 vjet më parë, nën drejtimin e meshtarit shqiptar dom Zef Shestani. Kështu, pra, redaksia shqipe nisi programet e veta me përshkimin dhe transmetimin e Udhës së Kryqit të Shpëtimtarit të njerëzimit, Jezu Krishtit.

Përshkoi një rrugë të gjatë, duke shoqëruar  e mbështetur popullin shqiptar në periudhën e errët të diktaturës komuniste, deri në ngadhënjimin e Dritës mbi errësirën, të lirisë mbi trysninë. E gjatë periudhës 66 vjeçare, redaksia e vogël në gjuhën shqipe e Radio Vatikanit priti e përcolli njerëz të thjeshtë dhe personalitete fetare e laike, që folën para mikrofonit të Radios së Papës, për t’i transmetuar popullit shqiptar mesazhin e paqes e të dashurisë njerëzore e të krishterë. Pastaj kohët ndryshuan e ndryshoi edhe sigla!

E edhe puna jonë për t’i transmetuar popullit shqiptar Lajmin e Mirë dhe mësimet e Papëve të Romës, u modernizua. Kur programi mbushi 55 vjet jete – një ndryshim i ri, hapja e faqes së redaksisë shqipe të Radio Vatikanit në internet : www.radiovaticana.va.
Këtë të re na e solli viti 2006, ndërsa më 10 nëntor 2005, në Radion e Papës ishte për vizitë kryeministri i asaj kohe i Shqipërisë, zoti Sali Berisha, i shoqëruar nga një grup politikanësh. Sillnin me vete Urdhrin e Artë ‘Nënë Tereza’, nderimi më i lartë që jep qeveria shqiptare. Iu dorëzua Radio Vatikanit për meritat e mëdha në kohët e vështira të diktaturës, kur ishte një nga zërat e pakta që transmetonin të vërtetën e ngjallnin shpresat për të ardhmen.
Duke marrë në dorëzim Urdhrin e lartë, drejtori ynë i përgjithshëm i asaj kohe, Atë Federiko Lombardi, përvijoi edhe programin tonë për të ardhmen:
“ Në se ne marrim një titull nderi për meritat e së kaluarës, duhet theksuar se e konsiderojmë si impenjim edhe për punën tonë në të ardhmen”.

Ndërkohë, Papa Françesku kërkoi dhe nisi reformën e mediave të Selisë së Shenjtë, duke krijuar Sekretarinë e Selisë së Shenjtë për Komunikim (mediat), të cilën ia besoi Prefektit Mons. Dario Viganò dhe zëvendës prefektit Mons. Lucio Ruiz.

E sivjet në muajin qershor, nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, iu akordua titulli i nderit “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” edhe Prefektit të Sekretarisë për Komunikimin e Selisë së Shenjtë, imzot Dario Viganò dhe kryeredaktorit dhe përgjegjësit të redaksisë shqipe, dom David Gjugja.

Pra, duke qenë redaksia shqipe një nga gjymtyrët (redaksitë) më të vogla, deri dje e Radio Vatikanit, tani e Sekretarisë së Selisë së Shenjtë për Komunikim, duhet thënë se përherë e kemi ndjerë vetën të rrethuar me atë kujdes që tregojnë prindërit për fëmijën e vogël!

Kemi pasur dhe kemi gjithnjë pranë Papët, që kanë treguar interesim e kujdes të përhershëm për ecurinë e shqiptarëve, të shoqërisë si dhe të Kishës në trevat shqiptare, shpesh edhe me ndërmjetësimin e tyre pranë bashkësisë ndërkombëtare për fatet e bijve të shqiponjave. Pra, e kemi ndjerë përherë praninë e Selisë së Shenjtë e, natyrisht, të eprorëve tanë, etërve jezuitë, që nga viti i themelimit e deri dje, e në saje të reformës së mediave të Vatikanit, që tre vjet kemi edhe eprorët e ri, mons Dario Viganò dhe mons. Lucio Ruiz, që janë duke e çuar përpara reformën e mediave të Vatikanit, kërkuar nga Papa Françesku dhe Selia e Shenjtë, për t’i shërbyer kështu sa më mirë misionit të Kishës universale kudo në botën bashkëkohore, me forma të reja të komunikimit shoqëror, të cilat përdoren edhe nga redaksia në gjuhën shqipe, si webi (faqja e internetit), facebook-u e tjera.

Vitet kalojnë njëri pas tjetrit, mënyrat e komunikimit ndryshojnë e pasurohen dhe redaksia shqipe vijon misionin e vet kryesor: përhap në mbarë botën fjalën e Zotit, të Papës dhe Kishës.

E “Laudetur Jesus Christus”, përshëndetja me të cilën hapen e mbyllen gjithnjë transmetimet e Radio Vatikanit, nuk është thjeshtë një lloj motoje apo sigle, por program pune dhe jete për secilin nga ne.

Ju flet Radio Vatikani në gjuhën shqipe e ju uron paqe e të mira prej Zotit! Pra, edhe sot si përherë, filluam e po mbarojmë programin radiofonik në gjuhën shqipe me: Laudetur Iesus Christus - duke lavdëruar Jezu Krishtin. Me mesazhe paqeje, mirësie, dashurie e vëllazërimi, ndërsa në sfond dëgjohen tingujt e himnit simbolik: "Krishti fitoi, Krishti sundon, Krishti do të mbretërojë"!








All the contents on this site are copyrighted ©.