2017-10-02 11:54:00

Ta kërkojmë me besim ndihmën dhe mbrojtjen e Engjëjve të Rojës


Në festën e sotme të Engjëjve të Rojës, ta kërkojmë me besim ndihmën dhe mbrojtjen e tyre. Prania e padukshme e këtyre shpirtrave të lum, na ndihmon e na ngushëllon fort: ata ecin përkrah nesh e na mbrojnë në çdo rrethanë, na ruajnë nga rreziqet e mund t’u kërkojmë ndihmë në çdo çast.

Shumë shenjtorë kishin me Engjëjt marrëdhënie të vërteta miqësie e të shumta janë episodet, që flasin për ndihmën e tyre në raste të veçanta: Engjëjt dërgohen nga Zotit për t’i shërbyer atyre, që do ta trashëgojnë shëlbimin, siç na e kujton Letra Hebrenjve (1,14), e na japin ndihmën e tyre në shtegtimin tokësor drejt Atdheut qiellor.

Engjëjt e Rojës, pra, janë figura qiellore të pranishme në universin fetar e kulturor të Biblës, si dhe në shumë besime të lashta. Paraqiten gjithnjë si qenie me krahë, simbol i forcës ndërmjetësuese të Zotit tek njeriu. Fjala engjëll vjen nga greqishtja e lashtë “anghelos – lajmëtar”. Nuk është, prandaj, aspak e rastit që në gjuhën biblike termi engjëll tregon një person të dërguar për të kryer një mision. ;e këtë kuptim kjo fjalë përdoret 175 herë në Besëlidhjen e Vjetër, ku flitet edhe për funksionin e ushtrisë qiellore, të ndarë në nëntë shkallë hierarkike: Kerubinët, Serafinët, Fronet, Sundimet, Autoritetet, Virtytet qiellore, Principatat, Kryengjëjtë, Engjëjt.

Sot figurat e engjëjve vijojnë të kujtohen në predikimet liturgjike, madje përdoren shpesh si simbole edhe nga mjetet e komunikimit. Gjithsesi çdo i krishterë e di se ka një engjëll të rojës, i cili e shoqëron në çdo hap e të cilit i lutet çdo mëngjes e mbrëmje ta shndrisë, ta ruajë, ta mbrojë, ta sundojë. Ta kërkojmë, pra, me besim ndihmën dhe mbrojtjen e Engjëjve të Rojës.

Engjëlli i Zotit, që je rojtari im, pasi Hyji, për mëshirë të vet, më ka lënë nën mbrojtjen tënde, ti sot më shndrit, më mbaj, më ruaj e më sundo. Amen!








All the contents on this site are copyrighted ©.