Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Papa Françesku: Engjëlli i Rojës ekziston, t’i dëgjojmë këshillat e tij

Festa e Engjëjve të Rojës

02/10/2017 11:00

Engjëlli i Rojës ekziston, nuk është fantazi, por një shok, që Zoti na e ka vënë pranë në udhën e jetës: kështu tha Papa Françesku, në meshën e 2 tetorit 2014, kremtuar në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, pikërisht në ditën kur Kisha Katolike kremton kujtimin e Engjëjve të Rojës.

Leximet biblike të liturgjisë së ditës paraqesin dy imazhe: engjëllin dhe fëmijën. Zoti, nënvizoi Papa Françesku, i ka dhënë secilit një engjëll që ta ruajë. Nëse ndokush prej nesh mendon se mund të ecë i vetëm, gabon rëndë e mund të bjerë në mëkatin e krenisë, të mendjemadhësisë. Jezusi u mëson apostujve të jenë si fëmijët.

Dishepujt, komentoi Ati i Shenjtë Bergoglio Ungjillin, grindeshin ndërmjet tyre, kush ishte më i madhi. Këta janë ipeshkvijtë e parë e që atëherë, tundoheshin nga karrierizmi, vuri në dukje Papa. Ndërsa Jezusi u mëson atyre si duhet të sillen vërtet, si fëmijët. Pra, të jenë të butë, t’i dëgjojnë këshillat kur kanë nevojë për to, të kërkojnë ndihmë kur u duhet, ashtu si fëmijët.

Kjo është udha, tha Papa, jo grindja për të caktuar kush është më i madh. Vetëm kështu, zemra është më pranë Atit Qiellor: “Të gjithë ne, sipas traditës së Kishës, kemi me vete një engjëll, që na ruan, na bën t’i ndjejmë gjërat. Sa herë ndjejmë brenda vetes: ‘Po…këtë…duhet ta bëj kështu, kjo tjetra nuk shkon, kujdes…’: sa herë! Është zëri i këtij shoku të udhës. Të jemi të sigurt se ai do të na çojë deri në fund të jetës me këshillat e veta, prandaj ta dëgjojmë zërin e tij, të mos rebelohemi… Sepse rebelimi, dëshira për të qenë të pavarur, është diçka që e kemi brenda; është mendjemadhësia, ajo që pati ati ynë Adami në Parajsën tokësore: po ajo. Mos ngri krye pra: ndiqi këshillat e engjëllit”.

Askush nuk ecën i vetëm e askush nuk mund të mendojë se është i vetëm në jetë, vijoi Papa, pasi të gjithë kemi këtë shok udhe, që na shoqëron kudo: E kur nuk duam t’i dëgjojmë këshillat e tij, zërin e tij, është si t’i themi: ‘Ik, largohu!’. Por, ta largosh këtë shok udhe është e rrezikshme, pasi asnjë burrë e asnjë grua nuk mund të këshillojë vetveten. Mund t’i jap këshilla një tjetri, por jo vetvetes. Është Shpirti Shenjt ai, që më këshillon, është engjëlli, që më këshillon. Kemi nevojë për të. Kjo nuk është ndonjë doktrinë plot fantazi për engjëjt: jo, është realiteti. Kështu na ka thënë Jezusi, kështu na ka thënë Zoti: ‘Ja, po e dërgoj engjëllin që të prijë e të të ruajë, për të shoqëruar gjatë udhës, që të mos gabosh’”.

Papa Françesku e përfundoi homelinë e 2 tetorit të vitit 2014 me fjalët: “Unë sot, do të bëja këtë pyetje: si i kam marrëdhëniet me engjëllin tim të rojes? A e dëgjoj? A i them mirëmëngjesi, kur zgjohem? A i them: ‘Më ruaj kur fle’? A flas me të? A i kërkoj këshillë? Është pranë meje. Kësaj pyetjeje mund t’i japim përgjigje sot, secili prej nesh: si janë marrëdhëniet me këtë engjëll, që Zoti na e ka dërguar për të më ruajtur e për të më shoqëruar në udhë. Ai e sheh gjithnjë fytyrën e Atit, që është në qiell”.

02/10/2017 11:00