Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Kalendari

Me 1 tetor kalendari kishtar kujton Shën Terezën e Krishtit Fëmijë

Shën Tereza e Krishtit Fëmijë

01/10/2017 02:30

Me 1 tetor kalendari kishtar kujton Shën Terezën e Krishtit Fëmijë, pajtore qiellore e misioneve dhe doktore e Kishës. Pra, më 1 tetor, kalendari kishtar përkujton Shën Terezën e Krishtit Fëmijë, rregulltaren e re të klauzurës nga Lisië, Doktore e Kishës dhe Pajtore qiellore e misioneve.

Tereza lindi në Alanson në  Normandi në vitin 1873 nga një familje të borgjezisë të vogël (i ati ishte orëndreqës) e ajo ishte i teti fëmijë, ku mori edukatë katolike. Në moshë ende të njomë,  Tereza u dallua për besimin e thellë fetar si dhe për një karakter të pavarur.

Shumë shpejti, në moshën 15 vjeçare zgjodhi rrugën e Karmelit, duke u mbyllur në një nga kuvendet e klauzurës ku kaloi vitet e pakta të jetës së saj në një atmosferë thellësisht mistike. Vdiq nga tuberkulozi pa i mbushur ende 24 vjetët. Ndërronte jetë, natën mes 30 shtatorit e 1 tetorit të vitit1897. Vinte te këmbët e Kryqit vuajtjet e saj, si flije shpërblimi për shpirtrat e mëkatarëve. Është shenjta e dialogut dhe e buzëqeshjes. Duke vdekur, la pas vetes, gjithmonë të gjallë, mesazhin e madh "të rrugës së vogël" përmes së cilës mund të arrihet deri te Krishti. E ky mesazh nuk do të vdiste me të.  Shpallet e shenjtë më 1925 e po këtë vit shpallet “Pajtore e Misioneve”.

E motra, Paolina, që e pati nxitur ta shkruante përvojën e saj shpirtërore, vendosi t'i botonte "Fletoret " e Terezës. Fama e Shenjtërisë së Motrës së vogël të Krishtit Fëmijë, të cilën ndër figure e shikojmë me Kryqin në njërën dorë e me një tufë trëndafila në tjetrën, u përhap me shpejtësi. Pati premtuar të reshte një shi trëndafilash mbi njerëzimin: reshi hire hyjnore, me aromë edhe më të mirë se ajo e luleve.

Më 19 tetor 1997, Papa Gjon Pali II, duke vlerësuar lart doktrinën e saj shpirtërore, i dha titullin "Dijetare të Kishës Universale": është gruaja e tretë që meriton një nderim të tillë në Kishë, pas Katerinës së Sienës dhe Shën Terezës së Avilës. Emrin e saj e mori  edhe Nëna jonë Terezë Gonxhe Bojaxhiu, e me lumturimin e saj, Kisha universale njeh tri Tereza të mëdha!

Ndër fjalët më të njohura të Mësueses shenjte të kohëve moderne, Pajtores së misioneve dhe Pajtores së dytë të Francës, Shën Terezës Martë, që u bë e njohur me emrin rregulltar "Shën Tereza e Krishtit Fëmijë” janë: “Ja qielli im, fati im: të shkrihem nga dashuria për Krishtin”. 

01/10/2017 02:30