Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 26-të gjatë vitit ‘A'

shëmbëlltyra e dy djemve - RV

30/09/2017 14:57

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 26-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik të kishës...

Zoti thërret. Sot, nesër, gjithmonë. Thërret të gjithë pa dallim, pa përjashtim, thërret të ri e të moshuar, të mirë e të këqij….e të gjithëve na i mëson udhët e Tij hyjnore, po kështu nuk lodhët së  treguari udhën e jetës mëkatarëve. Edhe ne, pra, duam t’i ndjekim udhët e Zotit, t’i përmbahemi udhëzimeve të Tij, por, para së gjithash kemi nevojë për faljen dhe përdëllimin e Tij Hyjnor. Përkatësia në popullin e Zotit duhet të dëshmohet me vepra e jo me fjalë.

Në tempullin e Jerusalemit Jezusi rrethohet nga kryepriftërinjtë dhe nga pleqtë e popullit, të cilët e urrenin këtë rabbi e profet që vinte nga Galilea, që rrëfente fytyrën e një Zoti që ishte kaq larg prej kategorive të tyre e kaq i huaj për ta. Prandaj e vënë në sprovë, duke i kërkuar me të cilin autoritet a pushtet ai mësonte e shëronte. Jezusi, në përgjigjen e tij, i pyet ata nëse pagëzimi i Gjonit vinte nga qielli apo prej njerëzve; e përballë heshtjes së tyre të sikletshme përfundon: “As unë, pra, s’po ju tregoj me ç’pushtet  i bëj këto vepra” (Mt 21,27).

Në këtë moment Jezusi tregon të parën prej tri shëmbëlltyrave mbi refuzimin që tregojnë krerët fetar të Izraelit a të atyre ndaj Zotit dhe atyre që janë dërguar në emër të Hyjit për të kumtuar shpëtimin e tij. Një njeri kishte dy djem, të cilët i thirri të punojnë në vresht. I pari i tha ‘jo’, por pastaj, i penduar, shkoi, ndërsa i dyti i tha ‘po’, por pastaj nuk shkoi. Jezu Krishti, përmes kësaj shëmbëlltyre, na pyet edhe ne sot: “Kush prej të dyve gaboi?”, pyet Jezusi. Ata përgjigjen në mënyrë të saktë. Atëherë Jezusi lidh shëmbëlltyrën me historinë, duke pohuar: mëkatarët hyjnë në mbretërinë e Hyjit para krerëve fetarë. Pse? Sepse tagrambledhësit e mëkatarët dëgjojnë lajmin e tij e kthehen. Ndërsa përgjegjësit fetarë të Izraelit refuzojnë Atë e mesazhin e tij, për të zbatuar formalitetin e Ligjit.

Kështu, fragmenti ungjillor i kësaj së diele na tregon çfarë qëndrimi duhet të kemi përballë Mbretërisë së Zotit e na kujton se nuk janë fjalët që kanë vlerë, po faktet; jo premtimet, por veprat konkrete. Pra, Jezusi na vë përballë vullnetit të Zotit, përballë së mirës e së keqes, lirisë dhe hirit të Zotit, që e përshkojnë jetën e njeriut, duka ia ndryshuar fatin. Nganjëherë e mira dhe e keqja ndahen nga një tis vërtet i hollë, por e rëndësishme për të gjithë – ashtu si për dy djemtë e shëmbëlltyrës ungjillore  - është plotësimi i vullnetit të Hyjit Atë. E “pendimi” është kusht i nevojshëm për të ndryshuar çdo situatë, që nuk përkon me vullnetin e Zotit, do të thotë nuk përkon me Mbretërinë e Hyjit. Në jetën e përditshme shumë thonë ‘po’ me gojë, por me vepra thonë ‘jo’. Ajo që ka rëndësi është që ajo që thuhet të mishërohet në veprimet tona konkrete.

                                               Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë (Ez 18, 25-28) 
Nëse i paudhi kthehet prej paudhësisë së vet, ai ia kthen jetën vetvetes. 

Lexim prej Librit të Ezekielit profet 
Kështu thotë Zoti: “Ju thatë: ‘Nuk është e drejtë udha e Zotit’. Dëgjoni, pra, shtëpia e Izraelit: A thua mënyra e sjelljes sime vërtet s’është e mirë? Apo më parë mënyra e veprimit tuaj është e keqe? Sepse, kur i drejti e lë drejtësinë e vet e bën padrejtësinë, ai do të vdesë: për shkak të padrejtësisë që bëri, do të vdesë. E kur i paudhi kthehet prej paudhësisë së vet që e ka bërë, e bën të drejtën e drejtësinë, ai ia kthen jetën vetvetes. Ai pleqëron imët dhe kthehet nga të gjitha padrejtësitë që i ka bërë, këndej do të jetojë e jo, nuk do të vdesë.” Fjala e Zotit. 

Psalmi 25 (24)
Ref: Le të bie ndër mend, o Zot, dashuria jote.

_____________________________
Bëj t’i njoh, o Zot, udhët e tua
e m’i mëso shtigjet e tua.
Më drejto me të vërtetën tënde dhe më mëso, 
sepse ti je Hyji im, Shëlbuesi im.
_____________________________
Të të bien në mend mëshira e jote, o Zot,
dhe dashuria jote që është e amshueshme.
Mos i kujto fajet e rinisë sime e paudhësitë:
të të bie në mend për mua sipas dashurisë sate, 
- për hir të mirësisë sate, o Zot.
_____________________________
I ëmbël e i drejtë është Zoti,
mëkatarët i kthen në udhë të drejtë,
të përvuajturve u prin në drejtësi,
të butëve ua mëson udhën e vet.
_____________________________

Leximi i dytë (Fil 2, 2-11) 
Kini në ju po ato ndjenja që ishin në Krishtin Jezus. 

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve.
Vëllezër, nëse vlen gjë ngushëllimi në Krishtin, nëse qortimi me dashuri, nëse pjesëmarrja në Shpirtin Shenjt, nëse vlen gjë zemra e dhimbshme, atëherë ma plotësoni gëzimin: jetoni në marrëveshje, kini të njëjtën dashuri, jini një zemre, një mendimi! Mos bëni asgjë për kryelartësi, as për mendje të madhe, por, me përvujtëri, mbani njëri-tjetrin më të madh se veten. Mos kërkoni vetëm të mirën tuaj, por edhe të mirën e tjerëve.
Kini në ju po ato ndjenja që ishin në Krishtin Jezus, i cili, edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të, por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz dhe, për kah pamja e jashtme, dukej vetëm njeri. E përuli vetveten duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq. Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve dhe i dha emrin që është mbi çdo emër, që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë, dhe çdo gjuhë të dëshmojë: “Jezu Krishti është Zot!” Në nder të Hyjit Atë. Fjala e Zotit 

Ungjilli (Mt 21, 28-32) 
Tagrambledhësit e laviret para jush hyjnë në Mbretërinë e Hyjit. 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tha kryepriftërinjve dhe kryetarëve të popullit: “Më thoni si e mendoni këtë gjë: një njeri kishte dy djem. Iu drejtua të parit e i tha: ‘Biro, dil sot e puno në vresht!’ Ai i përgjigj: ‘Po shkoj, imzot!’, por nuk shkoi. Atëherë iu drejtua të dytit po ashtu. Ai i përgjigj: ‘Nuk dua!’ Pastaj ndërroi mendim dhe shkoi. Cili prej të dyve e kreu vullnetin e t’et?” 
I thanë: “I pari!” 
“Përnjëmend po ju them, – vazhdoi Jezusi – tagrambledhësit e laviret para jush hyjnë në Mbretërinë e Hyjit. Sepse, erdhi Gjoni ndër ju udhës së drejtësisë, e ju nuk i besuat; tagrambledhësit e laviret i besuan, ndërsa ju, edhe pasi i patë këto, nuk u penduat për t’i besuar.”  Fjala e Zotit!

30/09/2017 14:57