2017-09-29 13:20:00

Papa Françesku: “E vërteta do t’ju bëjë të lirë. Lajmet e rreme dhe gazetaria e paqes”


“E vërteta do t’ju bëjë të lirë (Gjn 8,32). Lajmet e rreme dhe gazetaria e paqes”: kjo është tema, që ka zgjedhur Papa Françesku për Ditën e 52-të Botërore të Komunikimeve Shoqërore 2018. Ka të bëjë me “lajmet e rreme”, të ashtuquajturat “fake news”, pra, me informacionet pa bazë, të cilat kontribuojnë në lindjen e në rritjen e polarizimit të skajshëm të opinioneve.

Në një komunikatë të Sekretarisë për Komunikimin nënvizohet se këto lajme janë shpesh shtrembërime të fakteve, me pasoja të mundshme në planin e sjelljeve e të qëndrimeve individuale dhe kolektive. Në një kontekst, në të cilin interneti, institucionet dhe politika kanë filluar ta shqyrtojnë këtë fenomen, edhe Kisha dëshiron të japë kontributin e saj, duke propozuar një reflektim mbi arsyet, logjikën dhe pasojat e dizinformimit në media, si edhe duke ndihmuar në promovimin e një gazetarie profesionale, që kërkon gjithnjë të vërtetën, pra, një gazetari të paqes, që nxit mirëkuptimin ndërmjet njerëzve.

Dita Botërore e Komunikimeve Shoqërore, e vetmja ditë e përcaktuar nga Koncili II i Vatikanit, me dekretin “Inter Mirifica” të vitit 1963, kremtohet në shumë vende, sipas këshillës së ipeshkvijve, të dielën para Rrëshajve. Në vitin 2018, ajo bie më 13 maj. Teksti i Mesazhit të Atit të Shenjtë për Ditën Botërore të Komunikimeve Shoqërore, kujton nota e Sekretarisë së Vatikanit për Komunikimin, tradicionalisht, prublikohet me rastin e përkujtimit liturgjik të Shën Françeskut të Sales, pajtor i gazetarëve, më 24 janar.








All the contents on this site are copyrighted ©.