Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Kremtime

Papa në Shën Martë: kryeengjëjt u dërguan për të na shoqëruar në jetë

Papa Françesku, në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës

29/09/2017 14:48

Ne dhe engjëjt kemi të njëjtën thirrje: “bashkëpunojmë në planin e shëlbimit të Zotit”. Mbi këtë ide e shtjelloi sot homelinë Papa Françesku, në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në festën e tre kryeengjëjve: Mikelit, Rafaelit dhe Gabrielit:

         “Jemi – të themi – ‘vëllezër’ në thirrje. E ata rrinë para Zotit për t’i shërbyer, për ta lëvduar e, edhe për të kundruar lavdinë e fytyrës së Hyjit. Engjëjt janë kundrues të mëdhenj. Ata kundrojnë Zotin; shërbejnë dhe kundrojnë. Zoti na i dërgon për të na shoqëruar në rrugën e jetës”.

         Në veçanti, Mikeli, Gabrieli dhe Rafaeli, shpjegoi Papa Françesku, kanë një rol të rëndësishëm në rrugën e shëlbimit. Mikeli kryeengjëll lufton me djallin, me gjarpërin e lashtë, që na ngacmon gjithnjë në jetë, na josh njëlloj siç bëri me Evën, duke përdorur argumente “bindëse” e, pastaj, kur biem në këmbët e tij na akuzon para Zotit, theksoi Ati i Shenjtë:

        “‘Haje këtë frut! Të bën mirë, do të njohësh shumë gjëra’… E fillon, ashtu si gjarpëri, të joshë, të joshë… E pastaj, kur biem, na akuzon para Zotit: ‘Është mëkatar, është i imi!’. Kjo është e imja: fjalë tipike e djallit. Na fiton me joshje e pastaj, na akuzon para Zotit: ‘Është i imi. Këtë do ta marr me vete’. E Mikeli i shpall luftë. Zoti i kërkoi të luftojë. Neve, që jemi për udhë në këtë jetën tonë drejt Qiellit, shën Mikeli na ndihmoftë ta luftojmë djallin, të mos e lemë të na joshë”.

         Shën Mikeli kryeengjëll e mbron Kishën për secilin prej nesh, vijoi Papa Françesku, ndërsa shën Gabrieli sjell lajme të mira, kujtoi Ati i Shenjtë kryeengjëllin, që u çoi lajmin e mirë Marisë, Zakarisë dhe Jozefit: lajmin e shpëtimit. Edhe shën Gabrieli është gjithnjë me ne, siguroi më tej Papa, e na ndihmon në udhën tonë, kur “e harrojmë” Ungjillin, kur nuk na bie më ndërmend se Jezu Krishti erdhi për të na shëlbuar, se Ai është “Zoti me ne”.

         Kryeengjëlli i tretë, që festojmë sot, është Rafaeli, ai “që ecën me ne”, pohoi Papa. Atij, që na ndihmon në rrugën tonë, duhet t’i kërkojmë të na mbrojë nga hapat e gabuara. E së fundi, Ati i Shenjtë, iu lut të treve:

         “Shën Mikel, na ndihmo në betejë; secili e di cila është beteja e jetës së vet, sot. Secili prej nesh e di cila është lufta kryesore, ajo, që na e vë në rrezik shëlbimin. Na ndihmo! Shën Gabriel na sill lajme, na sill Lajmin e mirë të shpëtimit, na thuaj se Jezusi është me ne, se na ka shëlbuar e na jep shpresë. Shën Rafael na merr për dore e na ndihmo në rrugën tonë, që të mos gabojmë udhë, që të mos rrimë vendnumëro. Gjithnjë të ecim, me ndihmën tënde”.

29/09/2017 14:48