2017-09-29 14:53:00

Papa Françesku: Kisha duhet të jetë, pa pushim, mjet mëshire


“Kisha ndjen se, në këtë çast të veçantë historik, duhet të përtërijë përpjekjet dhe entuziazmin në misionin e saj të përhershëm të ungjillëzimit”. Kështu u tha Papa pjesëmarrësve të Asamblesë së përgjithshme të Këshillit Papnor për nxitjen e Ungjillëzimit të ri, të cilët i priti sot paradite në Vatikan.

Pas Jubileut të Mëshirës, vit hiri, që Kisha e përjetoi me fe të madhe, duke rizbuluar sidomos Sakramentin e Rrëfimit e të Pajtimit me Zotin, Dikasteri vatikanas impenjohet që bashkësitë kishtare të vazhdojnë t’i shijojnë frytet e tij. “Nuk mund t’ia lejojmë vetes – tha Papa Françesku – të shuhet ky entuziazëm. Kisha ka përgjegjësinë e madhe të vazhdojë, pa pushim, të jetë mjet i mëshirës. Në këtë mënyrë, është më lehtë të perceptohet e të jetohet Ungjilli si ngjarje shëlbimi, duke i dhënë kuptim të plotë e përfundimtar jetës personale dhe shoqërore”.

 Shpallja dhe dëshmia e mëshirës janë impenjim i çdo ungjillëzuesi, nënvizoi Ati i Shenjtë, duke kujtuar fjalët e Shën Palit për Timoteun: “Jezu Krishti erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët, i pari prej të cilëve jam unë. Por shi për këtë pati mëshirë për mua, sepse Jezu Krishti deshi që në mua, të parin, të dëshmojë gjithë zemërgjerësinë e vet, që unë të bëhesha shembull për ata, që do të besonin në Të për të pasur jetën e amshuar”.

Ungjillëzimi, pohoi Papa, për natyrën e vet, i përket Popullit të Zotit. Ati i Shenjtë nënvizoi dy aspekte: “I pari është kontributi që secili komb me kulturën e vet sjell në rrugën e Popullit të Zotit”. Kjo është pasuri dhe larmi, që Kisha duhet ta vlerësojë për ta mbajtur të bashkuar njerëzimin, theksoi Françesku. Aspekti i dytë është se thirrja për ungjillëzim e kapërcen gatishmërinë e secilit, për t’u ndërthurur në një ind të ndërlikuar marrëdhëniesh ndërpersonale. “E kjo vlen – shpjegoi Papa – sidomos në një periudhë si e jona, në të cilën del në pah me forcë një kulturë e re, fryt e teknologjisë, e cila, ndërsa të josh me rezultatet që ofron, e bën gjithsesi të dukshme mungesën e marrëdhënieve të vërteta ndërpersonale dhe të interesit për tjetrin”.

Është e rëndësishme, përfundoi Papa, të dimë si të hyjmë në shpirt, për të zbuluar atë dëshirë për Zotin, që e shqetëson zemrën e shumë njerëzve, rënë në humnerën e indiferencës, që nuk i lejon ta shijojnë jetën. Pikërisht tek këta duhet të arrijë gëzimi i Ungjillit.








All the contents on this site are copyrighted ©.