Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Në Festën e Kryeengjëjve, Kisha na porosit: “Të jemi engjëj për njëri-tjetrin”.

Të jemi engjëj për njëri-tjetrin - RV

29/09/2017 07:33

Njerëzit duhet të bëhen engjëj për njëri-tjetrin”. Këtë na kujton  Kisha në festën e tre Kryeengjëjve: Mikelit, Gabrielit e Rafaelit. Këta janë lajmëtarë ndërmjet qiellit e tokës, ndërmjet madhështisë së Zotit dhe nevojave e mjerimit të bijve të ti: si Mikeli, i cili i krijon Zotit hapësira në shpirtin e njeriut që nganjëherë tundohet të largohet nga Hyji; si Gabrieli, që e çon Krishtin në zemrën e njeriut; si Rafaeli, mjeku që pastron dashurinë ndërmjet personave e që shëron verbërinë e njeriut, i cili nuk është në gjendje t’i shikojë punët e qiellit. Këtë thekson liturgjia e festës duke na shpjeguar se engjëjt janë lajmëtarë të Hyjit, ata ia sjellin Zotin njerëzve, hapin qiellin e kështu hapin edhe tokën.

Pikërisht nga që rrinë pranë Zotit, engjëjt mund të qëndrojnë edhe pranë njeriut. Hapin qiellin e tokën e i tregojnë njeriut kush është në të vërtetë, i zbulojnë atë, që nganjëherë është e fshehur dhe e varrosur në shpirtin e tij. I bëjnë thirrje të hyjë në vetvete, duke e prekur nga ana e Zotit. Në këtë edhe ne duhet të bëhemi vazhdimisht engjëj për njeri-tjetrin, engjëj që na largojnë nga rrugët e gabuara e na tregojnë shtegun që na rikthen tek Zoti Dashuri.

Duke kujtuar Shën Rafaelin, shëruesin e plagëve në shpirtrat e njerëzve që nuk e njohin ose nuk duan ta pranojnë të vërtetën dhe dashurinë e Zotit, sipas traditës kishtare Kryeengjëlli njihet për shërimin e dashurisë njerëzore, sepse dëbon djajtë, që tronditin bashkimin ndërmjet burrit e gruas. E veç kësaj, u kthen të verbërve dritën e syve.

“E dimë të gjithë se sot kërcënohemi nga verbëria, që rrezikon të na pengojë për ta parë Zotin, për ta shijuar dritën e tij, të verbuar siç jemi nga sendet materiale. E shërbimi i Rafaelit është ta shërojë këtë verbëri përmes mesazhit të fesë dhe dëshmisë së dashurisë". (Nga homelia e Benediktit XVI në Meshën e festës së Shenjtorëve Kryeengjëj, 29.09. 2007)

Kryeengjëlli Gabriel, që i kumtoi lindjen e Jezusit Nënës së tij, Virgjërës Mari, është ai që shpreh dëshirën e Krishtit për të hyrë në zemrën e njeriut. Zoti është tek porta, tek porta e botës e tek porta e çdo zemre. Gabrieli i solli Marisë lajmin e amësisë së saj të jashtëzakonshme si dhe titullin “Hirëplote”, me të cilin e përshëndeti Zojën e Bekuar. E Maria i dha një përgjigje që vijon të jehojë në zemrat e të gjithëve:

“Duke qenë e dashur nga Zoti, Maria është plotësisht aktive, sepse e pranon me gatishmëri personale valën e dashurisë që Hyji ndikon mbi të. Edhe në këtë gjë ajo është nxënëse e përkryer e të Birit i cili, me nënshtrimin ndaj Atit, realizon plotësisht lirinë e vet (...) Përballë misterit të këtyre dy përgjigjeve “Ja ku jam” të Krishtit e të Virgjërës, që pasqyrohen njëra tek tjetra e formojnë një Amen të vetëm përpara vullnetit të Zotit, ne mbetemi të mahnitur e, plot mirënjohje, adhurojmë”. (Nga homelia e Benediktit XVI në Meshën më  25 .03. 2006).

Pra, pranimi i lajmit të Engjëllit të Tënzot nga Maria, krijon kushtet që lidhja e Besës së re ndërmjet Zotit e njerëzimit të vuloset në mënyrë të përkryer. E pikërisht në hapësirën hirplote të përgjigjes së saj pohuese Maria bëhet edhe Nënë e Kishës, aq sa të përfshijë nën mantelin e saj çdo institucion e mbarështues, edhe misionin e Pjetrit e të pasardhësve të tij. 

29/09/2017 07:33