2017-09-29 14:27:00

Festa Shën Gabrielit, mons. Viganò: kemi nevojë për fjalë drite


Në festën e sotme të Shën Gabrielit kryengjëll, pajtorit qiellor të punonjësve të Telekomunikacionit, u kremtua sot paradite në Romë, në Kishën e Shën Marisë në Traspontina, Mesha e Shenjtë kryesuar nga mons. Dario Viganò, prefekt i Sekretarisë së Selisë së Shenjtë për Komunikim. “ Gjatë punës e misionit tonë, le të frymëzohemi, të ndriçohemi – tha mons Viganò gjatë homelisë – nga e vërteta që vjen nga Zoti”.

“Edhe ne, si kryengjëlli Gabriel, mund të bëhemi lajmëtar të lajmeve të mira. Ne, me punën tonë, jemi të thirrur të përhapim kumtin e së vërtetës, të bukurisë, të solidaritetit, të bashkëndarjes. Prandaj, me zemër të hapur, ta pranojmë ftesën për t’u bërë misionarë të Ungjillit me jetën tonë. Të impenjohemi për të qenë vërtetë lajmëtarë të Lajmit të Mirë në shoqërinë bashkëkohore. Ne duhet të ndjehemi pjesë e një komunikimi që jep shpresë, edhe atëherë kur shqetësimet tona janë të shumta, e na pushtojnë. Të rrethohemi përherë nga mesazhet që kumtojnë shpëtimin, në mënyrë që të mund të shkruajmë fjalë drite në faqe të dritës”.

Pas kremtimit Eukaristik me tërë familjen e Telekomunikacionit të Selisë së Shenjtë, eprorët e Sekretarisë për Komunikim, vlerësuan me çmime nderi disa punonjës si: Atë Andrzej Majewski, drejtor i Programeve të Radio Vatikanit, i cili në muajin tetor largohet nga detyra tij, Cinzia Capuano, Thadeus Milton Jones, Santo Messina, Mai Anh Ngo Thi e Fabrizio Stinellis. 








All the contents on this site are copyrighted ©.