2017-09-29 16:47:00

Dialogu i Papës Françesku me jezuitët në Kolombi


Revista “Civiltà Cattolica” (Qytetërimi Katolik) publikon dialogun e Papës Françesku me jezuitët, më 10 shtator, në Cartagena, gjatë udhëtimit të tij në Kolombi. Takim familjar, spontan, me pyetje e përgjigje.

Argumenti i parë, për të cilin u fol, ishte konceptimi i “popullit të Zotit”. Fatkeqësisht, nënvizoi Papa, nganjëherë tundohemi të bëjmë ungjillëzim për popullin, drejt popullit, por pa popullin e Zotit: “Gjithçka për popullin, por asgjë me popullin. Ky qëndrim, në fund të fundit, ka të bëjë me një konceptim liberal dhe iluminist të ungjillëzimit. Shuplakën e parë këtij botëkuptimi ia jep ‘Lumen gentium’: Kisha është populli i shenjtë i Zotit. Popull… Sot, duhet të kemi kujdes kur flitet për popull! Sepse dikush do të thotë: ‘Do të bëheni populistë’, e do të fillojnë, pastaj, të interpretojnë si të duan. Por duhet kuptuar se ajo e ‘popullit’ nuk është kategori logjike. Nëse duam të flasim për popullin duke përdorur skemat logjike do të biem në një ideologji me karakter iluminist e liberal, ose ‘populist’, siç e thamë… Sido që të ndodhë, e mbyllim popullin në një skemë logjike. Por ‘populli’ është kategori e mitit. E për ta kuptuar popullin duhet të zhytemi në të, duhet ta shoqërojmë nga brenda”.

E Papa saktësoi: “Të jemi Kishë, popull i shenjtë besnik ndaj Zotit për udhë, do të thotë të kemi barinj, që bëhen pjesë e atij realiteti të popullit, i cili nuk është ideologjik: është jetësor, është i gjallë. Hiri i Tënzot, që shfaqet në jetën e popullit nuk është ideologji… është përqafim, është diçka më e madhe. Disa thonë se populli është supersticioz. I këshilloj të lexojnë Papën Pali VI, i cili në nr.48 të ‘Evangelii nuntiandi’ vinte në dukje rreziqet, por edhe virtytet e popullit. Thoshte se në përshpirtërinë popullore mund të hyjnë bestytnitë, por nënvizonte edhe se, nëse orientohet si duhet, ajo është e pasur me vlera dhe dëshmon etjen për Zotin, që vetëm njerëzit e thjeshtë e të varfër mund ta njohin. Populli i Zotit ka nuhatje… dhe e ndjen me hundë bariun e mirë”.

Pyetjes mbi baritorinë rinore, Papa Françesku iu përgjigj se të rinjtë duhen vënë në lëvizje, në veprim: “Sot, baritoria rinore e grupeve të vogla dhe e reflektimit nuk funksionon më. Duhet vënë i riu në lëvizje, praktikant apo jo. Nëse beson në Zotin, mund ta udhëheqësh më lehtë; nëse nuk beson, duhet ta lësh që vetë jeta t’i bëjë pyetje. Ti duhet ta shoqërosh gjithnjë, pa u imponuar… në veprimtaritë e vullnetarëve, në punën me të moshuarit, në punën e alfabetizimit… të gjitha mënyra të përshtatshme për rininë”.

         Duke folur për reflektimin filozofik dhe teologjik të Kishës, uroi të mos jetë reflektim laboratori: “Vërtet, e pamë sa dëme bëri skolastika e madhe e brilante e shën Tomës kur pak nga pak, e kthyen në një skolastikë manuali, pa jetë, thjesht ide. …Filozofia nuk bëhet në laborator, por në jetë, në dialog me realitetin... Kjo vlen edhe për teologjinë. Teologjia e Jezusit ishte më realja e të gjithave, nisej nga realiteti dhe lartohej deri tek Ati Qiellor. Fillonte me një farë të vogël, me një shembëlltyrë, me një fakt… dhe i shpjegonte. Jezusi dëshironte të bënte teologji të thellë, realiteti më i madh është Zoti”.

         Së fundi, Papa foli për Nxitjen e tij Apostolike “Amoris laetitia”: “Dëgjoj shumë komente – për t’u respektuar, sepse i thonë bijtë e Zotit, por të gabuara. Për të kuptuar ‘Amoris Laetitia’ duhet lexuar nga kreu në fund. Duke filluar nga kapitulli i parë, për të vazhduar me të dytin e kështu me radhë… pastaj, reflektimi. E duhet lexuar çfarë u tha në Sinod. Së dyti: ndokush thotë se në bazën e ‘Amoris Laetitia’ nuk është morali katolik, ose, së paku, nuk është një moral i sigurtë. Për këtë, dua të them qartë se morali i ‘Amoris laetitia’ është tomist, ai i shën Tomës së madh. Mund të flisni për këtë me një teolog të madh, ndër më të mirët e kohës së sotme e ndër më të pjekurit, me kardinalin Schönborn. Këtë e them për t’i ndihmuar ata njerëz, që mendojnë se morali është sipas rastit. T’i ndihmojmë ta kuptojnë se shën Toma i madh ka një pasuri aq të madhe, sa mund të na frymëzojë edhe sot. Por në gjunjë (në lutje), gjithnjë në gjunjë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.