Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Takime kulturore

Çelësi i fjalëve të Kishës: mëkati

Mëkati i Adamit dhe Evës

28/09/2017 18:01

Pas meshës së sotme të Papës Françesku në Shtëpinë e Shën Martës, na u duk e natyrshme, që në emisionin e së enjtes, të flasim për mëkatin. Ati i Shenjtë i referohej brerjes së ndërgjegjes, pra, pikërisht, hapit të parë, që na bën ta kuptojmë se diçka nuk shkon e më pas, të pranojmë se kemi gabuar. Nga qëndrimi që mbajmë ndaj gabimeve apo mëkateve tona, shpesh, varet shpëtimi, ose dënimi ynë përjetshëm, në këndvështrimin e amshimit.

         Pavarësisht nga kushtet shoqërore, kulturore dhe ambientale, besimtari është i thirrur ta konsiderojë mëkatin si një çrregullim të thellë, që na pengon të kryejmë të mirën, që edhe ne e dëshirojmë. “Shoh të mirën dhe e dua, por bëj keq”: kjo e vërtetë shprehur nga eruditë e poetë të famshëm si Terenci, Xhovenale, Svetoni, Ovidi, tërheq vëmendjen teologjike të Shën Palit Apostull, i cili në Letrën drejtuar Romakëve thotë: “Dhe e dimë: Ligji është shpirtëror, kurse unë jam qenës trupor i shitur mëkatit si skllav… Dhe e di se e mira nuk banon në mua – d.m.th. në natyrën time trupore: sepse të dua të mirën jam i zoti, por jo edhe të veproj të mirën, pasi nuk e bëj të mirën që dua, por të keqen që nuk e dëshiroj, atë e bëj” (7,14-19).

         Ky paradoks i thellë nuk vlen për t’ia hequr njeriut përgjegjësinë për veprimet e tij, pasi arësyeja, vullneti, dashuria plagosen nga mëkati, por nuk shkatërrohen plotësisht e, në masën që lejojmë të veprojë në ne Hiri i Tënzot, jemi në gjendje të bëjmë vepra të mira e të drejta. Nëse e refuzojmë Hirin hyjnor, mund të njollosemi me mëkatet më të ulta.

         Duhet të bëjmë dallim ndërmjet mëkatit dhe fajit. Në prindërit tanë të parë, Adami e Eva, mëkati është edhe faj, pasi nuk ju bindën Zotit për faj të tyre, duke rënë kështu në mëkat. Në ne, mëkati mund të jetë pa faj, siç është mëkati i rrjedhshëm, por bëhemi gjithnjë fajtorë kur me vetëdije kryejmë vepra të këqia. Një konfirmim të kësaj e kemi me përvojën e “brerjes së ndërgjegjes”. Sado e fjetur të jetë ndërgjegjia, ajo ruan gjithnjë një rreze drite, që na bën të shohim hijen e mëkatit në zemrën tonë.

         Një nga mundësitë për të parë brenda vetes e për të dalluar kufirin e brishtë ndërmjet vullnetit tonë të lirë dhe kushtëzimeve të jashtme na vjen nga Sakramenti i Rrëfimit e i Pajtimit. Në fakt, nëse ia besojmë vetëm vetvetes gjykimin mbi veprimet që bëjmë, priremi të justifikohemi gjithnjë, ose të biem në depresion nga ndjenja mbytëse e fajit. Rrëfyestari na çon drejt një qëndrimi të ekuilibruar ndaj vetes dhe ndaj botës, duke na dhuruar kështu besimin dhe mundësinë për të vepruar mirë. Me ndihmën e Hirit hyjnor mund të fitojmë mbi padijen, ose mbi frikën, që duket sikur janë betuar të na çojnë drejt një bote negative, me padrejtësi të mëdha. Kështu, liria jonë, megjithëse mbetet relative dhe e kushtëzuar, ripërtërihet në marrëdhëniet me Hirin e mëshirshëm të Krishtit, që na e dhuron Kisha.

28/09/2017 18:01