Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Papa Françesku \ Audienca dhe Engjëlli i Tënzot

Papa: emigrantët janë bartës të shpresës, bashkë me mikpritësit e tyre

Papa Françesku në audiencën e përgjithshme - ANSA

27/09/2017 12:48

Mos kini frikë ta ndani shpresën me të tjerët. Kështu i ftoi Papa Françesku të pranishmit në audiencën e përgjithshme, në Sheshin e Shën Pjetrit, duke vijuar ciklin e katekizmit për shpresën e krishterë e, duke u ndalur veçanërisht në “armiqtë” e saj. Ati i Shenjtë, i cili sot paraqiti “Share the journey”, fushatën “Të ecim së bashku” në favor të refugjatëve e të emigrantëve, përshkoi me mendje “fytyrat e shumë njerëzve” në historinë e botës, fshatarë, punëtorë të varfër, emigrantë në kërkim të së ardhmes më të mirë, të cilët kanë luftuar me këmbëngulje për një jetë më të drejtë e më të qetë për vete e për bijtë e tyre.

         “Shpresa është shtysa në zemrën e atij, që niset, duke lënë shtëpinë, tokën, nganjëherë familjarët dhe të afërmit – mendoj për emigrantët – në kërkim të një jete më të mirë, më të denjë për vete e për të dashurit e vet. Por është shtysa edhe në zemrën e atij, që e pret: dëshira për t’u takuar, për t’u njohur, për të dialoguar. Shpresa është shtysa për ‘të ecur së bashku’, sepse udhëtim është për të dyja palët: për ata, që vijnë në vendin tonë dhe për ne, që shkojmë drejt zemrës së tyre, për t’i kuptuar, për të kuptuar kulturën e gjuhën e tyre. Është udhëtim i dyfishtë, por pa shpresën, kjo rrugë nuk mund të përshkohet”.

         Është shtysë edhe për të “ecur së bashku” në jetë, siç kujton fushata e Karitasit Ndërkombëtar, që filloi sot. Pikërisht shpresa e mban gjallë jetën, e mbron, e ruan dhe e zhvillon.

         Shpresa, pohoi më tej Papa Françesku, “nuk është virtyt për njerëz me barkun plot”. Ja përse, gjithmonë, “janë të varfërit, bartësit e parë të shpresës”. Mund të themi, vërejti Ati i Shenjtë, se të varfërit, lypësit, janë protagonistët e historisë. Sepse Zoti, për të hyrë në histori, pati nevojë pikërisht për ta, për njerëz si Jozefi e Maria, si barinjtë e Betlehemit, pati nevojë për të përvuajturit, që fshehurazi, përgatisnin “revolucionin e mirësisë”. Ishin të varfër e s’kishin asgjë, por ishin të pasur me një gjë të vetme, theksoi Papa: donin ndryshime.

         Nganjëherë, kur ke gjithçka në jetë nuk je aq me fat, sepse, ky është dënimi më i madh për ata, që nuk dëshirojnë më asgjë. Ia mbyllin portat risisë, ëndërrave, duke bërë të bjerë vjeshta në zemra e duke u kthyer në të rinj vjeshtukë.

         Shpirti bosh, vërejti Papa, është pengesa më e madhe kundër shpresës: është rrezik, nga i cili askush nuk mund të përjashtohet, “sepse tundimi kundër shpresës mund të vijë edhe kur ecim në rrugën e jetës së krishterë”. Duke përmendur murgjërit e lashtësisë, Ati i Shenjtë nënvizoi mëkatin e plogështisë apo të dembelisë, i cili “e gërryen jetën nga brenda deri sa e lë bosh”.

         I krishteri nuk duhet ta pranojë këtë gjendje e duhet ta luftojë gjithnjë, duke e ruajtur zemrën nga tundimet e pakënaqësisë, që sigurisht nuk vijnë nga Zoti. E kur lufta duket tepër e vështirë, këshilloi Papa Françesku, duhet t’i lutemi Birit të Zotit, Jezu Krishtit, që të ketë mëshirë për mëkatarët. Vetëm Ai i Lumi mund t’i hapë portat e shpirtit, duke na bërë ta shohim horizontin e shpresës. “Nuk jemi vetëm në luftën kundër dëshpërimit”, nënvizoi Ati i Shenjtë: “në se Jezusi fitoi mbi botën, është i aftë të fitojë kundër çfarëdo gjëje, që i kundërvihet së mirës brenda nesh”. Kështu, askush nuk do të guxojë të na e vjedhë shpresën, përdori Papa një shprehje të dashur për të, sidomos kur flet me të rinjtë.

         Në përshëndetjet për shtegtarët nga e gjithë bota, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa kujtoi popullsitë e dëmtuara nga uragani Irma: Zoti bekoftë Porto Rikon e gjithë Karaibet, goditur ditët e kaluara nga uragani”, tha në spanjisht, në fund të audiencës.

27/09/2017 12:48