2017-09-26 15:01:00

Papa ngul këmbë në idenë e Sinodit për Kishën në Amazonë


Papa Françesku ngul këmbë në idenë e një Sinodi për Kishën në Amazonë. E shprehu edhe një herë këtë mendim dje, në takimin me ipeshkvijtë e Ekuadorit, për vizitë “ad Limina” në Vatikan.

 Rajoni i Amazonës përfaqëson 48% të territorit të Ekuadorit. Aty banojnë popullsi të shumta indigjene. Papa nënvizoi sidomos rëndësinë e respektimit të identitetit të tyre dhe të afërsisë së Kishës, e cila duhet të inkulturojë Ungjillin. Sfida është gjithmonë si ta bëjmë të besueshëm Ungjillin, theksoi Françesku, pa i nëpërkëmbur bindjet dhe botëkuptimin e tyre, por duke vendosur pasurinë e Ungjillit në rrënjët e kulturës së këtyre popullsive. Mënyra është ajo e dëgjimit, e mësimit të gjuhës e pastaj, gjetja e rrugës për t’u hyrë në zemër indigjenëve. Kisha nuk duhet të shohë nga jashtë, vërejti Ati i Shenjtë, por duhet të bëhet popull, për ta ndarë me popullin realitetin e vet.

 Ipeshkvijtë po impenjohen në përgatitjen e këtij Sinodi, megjithëse janë të shqetësuar për fatkeqësitë, që kanë goditur vendin kohët e fundit: tërmete, përmbytje, uragane. Por Kisha dëshiron ta ndihmojë popullsinë të gjejë zgjidhje për problemet e veta, sidomos për çështjen e shfrytëzimit minerar të rajonit, si pasojë e të cilit popujt indigjenë janë larguar nga tokat e tyre.








All the contents on this site are copyrighted ©.