2017-09-26 14:35:00

Ekspozitë në kujtim të atë Zef Pllumit në Tiranë


Nga data 30 shtator deri më 1 tetor, në katedralen e Shën Palit, në Tiranë, do të hapet ekspozita me dorëshkrimet e sendet personale të Atë Zef Pllumit, ndër të cilat edhe dorëshkrime të atë Gjergj Fishtës.

         Ekspozita është fryt i bashkëpunimit ndërmjet kryedioqezës metropolite të Tiranë-Durësit, Provincës Françeskane Shqiptare dhe Bibliotekës Kombëtare. Të shtunën, më 30 shtator, në mesditë, ajo do të përurohet nga kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, imzot George Frendo, i cili do të mbajë fjalën e rastit. Më pas, vizitorët do të mund të shohin dorëshkrimet dhe sendet personale të autorit të “Rrno vetëm për me tregue”, libër-denoncim e dëshmi e epokës komuniste dhe e persekutimit që ushtroi në Shqipëri.

Do të ekspozohen gjithashtu materiale arkivore e muzeale të atë Gjergj Fishtës, të ruajtura me vetëdije e sakrifica të mëdha prej atë Zef Pllumit gjatë terrorit komunist. Ndër to spikasin: dorëshkrimi i tragjedisë “Juda Makabe”, “Lahuta e Malcis”, shkopi dhe maska mortore e atë Gjergj Fishtës. Ekspozita do të qëndrojë hapur deri në orën 19.00, për t’u vizituar sërish të nesërmen, më 1 tetor, nga ora 10 deri në orën 18.00. Të dëgjojmë vetë imzot George Frendon, në intervistën e don David Xhuxhës...

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.