2017-09-22 14:52:00

Vatikani i përgjigjet emergjencës edukative me “humanizmin solidar”


U paraqit sot në Vatikan, dokumenti me titull “Të edukojmë humanizmin solidar. Për ndërtimin e qytetërimit të dashurisë, 50 vjet pas Populorum progressio”, së bashku me Fondacionin Papnor “Gravissimum educationis”.

“Duke analizuar skenarët aktualë, Dokumenti nënvizon sa urgjente dhe e nevojshme është ta humanizojmë edukimin, duke favorizuar kulturën e takimit dhe të dialogut”, nënvizoi gjatë paraqitjes prefekti i Kongregatës për Edukimin Katolik, kardinali Giuseppe Versaldi. Dokumenti do t’u dërgohet të gjitha Konferencave Ipeshkvnore, të cilat duhet t’ua shpërndajnë rreth 215 mijë shkollave katolike dhe 1.760 universiteteve katolike, në pesë kontinentet. Përmban orientimet e dala nga reflektimi i këtyre viteve, nisur me rastin e 50-vjetorit të Deklaratës konciliare “Gravissimum educationis” dhe të Enciklikës “Populorum progressio”.

Lindi ideja, shpjegoi kardinali Versaldi, “për ta përqendruar vëmendjen mbi mesazhin e Papës Pali VI përmes lentes së edukimit, në veçanti, duke u nisur nga thënia e enciklikës, sipas së cilës ‘zhvillimi i gjithanshëm i popujve nuk mund të arrihet pa zhvillimin solidar të njerëzimit’. Për këtë përparim, kontribuon veçanërisht edukimi”.

Në konferencën e sotme për shtyp u përmendën statistikat mjaft alarmuese të organizatave ndërkombëtare, sipas të cilave, brenda vitit 2030, pa ndërhyrjet e përshtatshme, 69 milion fëmijë më të vegjël se 5 vjeç do të vdesin për shkaqe të parashikueshme, ndërsa pas 15 vjetësh, më se 60 milion fëmijë në moshën shkollore nuk do të kenë mundësi të marrin as arsimimin fillor. Nga ana tjetër, konfliktet dhe dhuna, bashkuar me fatkeqësitë gjithnjë e më të rënda natyrore, i kanë detyruar më se 31 milion njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre e të strehohen gjetiu, me pasoja negative për shkollimin e fëmijëve.

Humanizimi i edukimit, sipas kardinalit Versaldi, nuk do të thotë vetëm sigurimi i arsimit për të gjithë, por edhe përhapja e kulturës së takimit dhe të dialogut, përmes globalizimit të shpresës, udhëhequr gjithnjë, nga mesazhi i shëlbimit dhe i dashurisë së krishterë, bazë për “një proces gjithëpërfshirës, në gjendje për të ndikuar mbi mënyrën e jetesës dhe mbi paradigmat ekonomike e ambientale”.

Universitetet dhe shkollat katolike, theksoi më tej kardinali, janë të thirrura tani t’u përgjigjen më mirë emergjencave dhe sfidave, me programe konkrete e me kërkime shkencore të përbashkëta, si edhe me krijimin e rrjeteve të bashkëpunimit. Në këtë kuadër, do të punojë edhe Fondacioni i ri papnor, me objektiv kërkimin shkencor, formimin e profesorëve për një model të ri edukativ, studimin e botës së të rinjve dhe krijimin e një observatori pedagogjik. Fondacioni “Gravissimum educationis”, që e merr emrin nga Deklarata konciliare përkatëse, u themelua me një kirograf të Papës Françesku, më 28 tetor 2015.








All the contents on this site are copyrighted ©.