2017-09-22 17:24:00

Papa shkoi pa lajmëruar në Fondacionin Shën Luçia, qendër neurorehabilitimi


Papa Françesku doli sot nga Vatikani për një vizitë-suprizë në Fondacionin Shën Luçia, një qendër e mirënjohur në Romë për rehabilitimin neurologjik.

“Papa – shpjegon në një notë, Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë – vijon kështu përvojën e të Premteve të Mëshirës: gjeste afërsie e përkrahjeje kushtuar më të varfërve e më të pafatëve, të cilat karakterizuan Jubileun e Mëshirës”.

Rreth orës 16.00, Papa Françesku kapërceu portën e Fondacionit, ku u prit me gëzim nga njerëzit, që në atë çast, ndodheshin në parkingun e kompleksit spitalor. Më pas, erdhën edhe autoritetet. “Veçanërisht emocionuese – thuhet në komunikatën vatikanase – vizita e Papës në repartin e fëmijëve me patologji neurologjike. Papa Françesku u ndal dhe bëri shaka me ta; shkëmbeu pastaj disa fjalë me prindërit, që ishin të pranishëm gjatë rehabilitimit, shpesh të lodhshëm dhe të dhimbshëm, të fëmijëve”.

Ati i Shenjtë ndoqi me vëmendje ushtrimet, që u japin mundësi fëmijëve të ecin e të lëvizin sërish. Më pas, vizitoi repartin e tetraplegjikëve dhe të paraplegjikëve të moshës nga 15 deri në 25 vjeç. Disa prej tyre kanë përfunduar në spital, pas aksidenteve rrugore. Së fundi, Papa shkoi edhe në palestrën ku bëjnë ushtrime të moshuarit.

Ati i Shenjtë, nënvizon nota e Sallës së Shtypit, “dëshiron të inkurajojë kështu të gjithë, që t’i bëjnë ushtrimet fizike, të shpresojnë në të ardhmen dhe të kenë besim në punën kërkimoro-shkencore, që po bën hapa të mëdha në këtë fushë. Pas lutjes në kapelën e spitalit, Papa u kthye në Shtëpinë e Shën Martës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.