2017-09-22 14:23:00

Papa pret presidentin e Perusë. Kriza politike, në 25 min bisedë


Papa Françesku priti sot në audiencë, në Vatikan, presidentin e Republikës së Perusë, Pedro Pablo Kuczynski, shoqëruar nga delegacioni. Biseda private me të, në Sallën e Bibliotekës, zgjati më se 25 minuta.

Pas paraqitjes së delegacionit, gjatë së cilës kreu i Shtëpisë Ushtarake peruviane i dhuroi Atit të Shenjtë bluzën e skuadrës kombëtare të futbollit, që do të takohet së shpejti me atë argjentinase, u shkëmbyen dhuratat. Presidenti peruvian i dhuroi Papës një kuadër të Zojës që zgjidh nyjet, shumë e dashur për Françeskun, si edhe një skeptër tipik të kulturës inkase. Ati i Shenjtë i dhuroi kreut të shtetit një medaljon me pemën e ullirit, që bashkon një shkëmb të ndarë më dysh, simbol bashkimi e paqeje, siç nënvizoi vetë. E si zakonisht, edhe enciklikat e papnisë së tij.

Duke folur me Papën para gazetarëve, presidenti i Perusë përmendi krizën politike në vend. “Do të vijnë ditë më të mira”, iu përgjigj Ati i Shenjtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.