Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha në botë

Michel Roy: Papa Françesku me Karitasin për emigrantët

Share the journey - RV

22/09/2017 13:37

“Share the Journey” – “Të ecim së bashku”. Kjo është tema e fushatës ndërkombëtare të Caritas Internationalis, që do të promovohet nga Papa Françesku më 27 shtator, gjatë audiencës së përgjithshme, në Sheshin e Shën Pjetrit. Nisma, në të cilën përfshihen Karitaset e gjithë botës e, edhe Karitasi i Shqipërisë, ka si objektiv të jetë nxitje për shoqërimin e emigrantëve e të refugjatëve në rrugën e tyre të vështirë drejt një jete më të mirë. Përmes “Share the Journey”, shkruan kryetari i Karitasit Ndërkombëtar, kardinali Luis Antonio Tagle, “shpresojmë ta zhdukim frikën dhe të kuptojmë se përse kaq shumë njerëz po largohen” nga vendet e tyre në këtë çast historik. Pikërisht mbi objektivin e kësaj fushate dhe mbi impenjimin e Papës Françesku në favor të emigrantëve, intervistuam Sekretarin e përgjithshëm të Karitasit ndërkombëtar, Michel Roy:

         Tema e emigrantëve është përparësore. Së pari, sepse emigracioni është fenomen global. Në të gjitha vendet e planetit, ka njerëz që lëvizin për shkak të fatkeqësive natyrore, për shkak të dhunës e të luftës. Njerëzit zhvendosen brenda, ose jashtë vendit. Përveç kësaj, emigracioni është temë e ndjeshme: është fjala për njerëz, jo për sende! Është fjala për njerëz, që kanë vuajtur shumë e që vazhdojnë të vuajnë. Është problem akut. Prandaj, menduam se, pavarësisht nga çështjet politike, ka rëndësi t’i ftojmë të gjithë t’i shohin ndryshe emigrantët.

         Cili është objektivi dhe shpresa e kësaj fushate të Karitasit Ndërkombëtar?

         Objektivi është që në çdo bashkësi, njerëzit të bëjnë një hap drejt tjetrit, drejt emigrantit, si në nivelin individual, ashtu edhe në atë kolektiv. Të mos flasim për refugjatë apo emigrantë ekonomikë: të flasim për njerëz, sepse ky kontakt, kjo përvojë që bëjmë me të varfërit na ndihmon ta ndryshojmë vështrimin, zemrën, mendjen, na bën të kuptojmë se pas çdo njeriu ka një histori mundimesh.

         Sa rëndësi ka për ju fakti që vetë Papa Françesku impenjohet personalisht në udhën tuaj në favor të emigrantëve e të refugjatëve?

         Për Papën Françesku është simbol pritja, integrimi, promovimi dhe mbrojtja e të huajve. E pyeta nëse i pëlqente ta përuronte këtë fushatë. Më tha po! Do t’i ftojë të gjithë të bëjnë një hap përpara drejt emigrantëve. Po përgatitemi në të gjithë botën, në mënyrë që mesazhi i Papës, më 27 shtator, të njihet në maksimum e që çdo bashkësi e krishterë të impenjohet për këtë. Para emigrantit, nuk mund t’ia filloj me “marifete politike” e t’i them pse erdhi. Ai është njeri, nuk mund ta injoroj. Mendoj se Papa Françesku mban këtë qëndrim. Pastaj, kur arrijmë në nivelin politik, pra, kur diskutojmë ç’duhet bërë me emigrantët, atëherë është çështje tjetër. Por, kur njerëzit janë këtu, ndodhen këtu, nuk mund t’i injorojmë. 

22/09/2017 13:37