Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Rubrika \ Liturgjia

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës së 25 të gjatë vitit kishtar “A”

shëmbëlltyra që na flet për pronarin e një vreshte që kërkon punëtorë për vreshtën e tij. - RV

22/09/2017 00:30

Ja përsëri në takimin tonë javor me fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të meditojmë leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit të Dielës së 25-të gjatë vitit, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik. Në Ungjillin e kësaj së diele nga Mateu (20,1-16), kemi njërën prej shëmbëlltyrave më të sakta që na flet mbi marrëdhëniet ndërmjet Zotit e çdonjërit prej nesh.

Është shëmbëlltyra që tregon për pronarin e një vreshte, i cili kërkon punëtorë për vreshtën e tij. Ky fragment ungjillor, na mëson se dashuria e Zotit është absolute, falas, e lirë e nuk mund të llogaritet, nuk mund të parashikohet, as të matet, ajo e mëshirshme dhe e pakufishme. Prandaj, Ungjilli na fton ta tejkalojmë mënyrën tonë të të menduarit dhe të të gjykuarit ndaj sjelljeve e ndaj mirësisë së Zotit, e kështu ta perceptojmë si duhet dhe respektojmë mirësinë, lirinë dhe dashurinë e tij të pakufishme ndaj çdo njeriu.

Këtë na mëson shembëlltyra ungjillore e punëtorëve të dërguar për të punuar në vresht në orë të ndryshme e bujaria e të zotit të vreshtës, i cili u dha të gjithëve të njëjtën pagë, pavarësisht nga orët e punës. Ungjilli i kësaj së diele na mëson se të parët do të jenë të fundit e të fundit do të jenë të parët në Mbretërinë e Qiellit.

Zoti e kapërcen idenë tonë të drejtësisë dhe është njëlloj bujar me secilin, pavarësisht nga impenjimi ynë, siç tregohet nga qëndrimi i të zotit të vreshtës, i cili nuk ua vë veshin ankesave të punëtorëve, që kishin filluar punën më parë e nuk donin të paguheshin po aq sa edhe ata, që kishin punuar vetëm një orë, pavarësisht se kështu e kishin lënë me pronarin.

Shën Mateu ungjilltar, duke përshkruar shembëlltyrën, që u tregon Krishti dishepujve të vet, ka parasysh edhe mërmëritjet e hebrenjve se Jezusi po e shpërdoronte mëshirën hyjnore, duke pranuar edhe paganët në Mbretërinë e Qiellit. Është i vetëdijshëm për vështirësitë e hebrenjve që ta kuptonin veprimin e Zotit në histori, pasi Ai na shkandullon e na sjell vazhdimisht të papritura, pikërisht për ta ndryshuar qëndrimin tonë.

             Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë   Is 55, 6-9

Njeriu që ka një zemër të ftohtë, që mban inate të thella, që nuk di të falë, mendon se Hyji e mat realitetin me metrin e tij.  Metoda e Hyjit është e ndryshme.  Ai shkrin mëkatet tona siç shkrihet dëbora në diell dhe i harron.  Zemra e Hyjit është më e madhe se e jona.

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Kërkojeni Zotin deri sa mund të gjendet, thirreni në ndihmë deri sa është afër! Le ta lërë i patenzoni udhën e vet, njeriu i keq synimet e veta, le të kthehet te Zoti e ai do të ketë mëshirë për të, tek Hyji ynë që është bujar në falje.  Sepse mendimet tuaja nuk janë mendimet e mia, as udhët tuaja, nuk janë udhët e mia – thotë Zoti. Sepse, sikurse qielli që është i lartë në krahasim me tokën: po ashtu edhe udhët e mia janë të larta në krahasim me udhët tuaja dhe mendimet e mia në krahasim me mendimet tuaja! Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Psalmi   145

Zoti është afër atyre që e kërkojnë

Çdo ditë do të të bekoj,

dhe do ta lavdëroj Emrin tënd përgjithmonë e jetës.  Zoti është i madh e i lavdërueshëm,

e pashqyertueshme është madhëria e tij!

 

Zoti është vetë butësia e mëshira,

i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.

Zoti është i mirë për të gjithë,

i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta.

 

I drejtë është Zoti në të gjitha udhët e veta,

dhe i shenjtë në të gjitha veprat e veta.

Zoti është afër të gjithë atyre që e thërrasin,

të gjithë atyre që e thërrasin me çiltëri.

 

Leximi i dytë   Fil 1, 20-27

Apostulli Pal tregon dëshirën e tij të qëndrojë me Krishtin në lavdi, por nëse është e nevojshme është gati të qëndrojë këtu mbi tokë për t’u shërbyer vëllezërve.  Nuk na takon neve të vendosim kur duhet të mbarojë shërbimi ynë ndaj vëllezërve. 

Lexim prej Letrës së Palit drejtuar Filipianëve 

Vëllezër, Krishti do të madhërohet në trupin tim, si në jetofsha si në vdissha. Vërtet, për mua Krishti është jetë, dhe vdekja fitesë! Por në qoftë se jeta në trup më mundëson një veprimtari frytdhënëse, çka atëherë të zgjedh? Nuk po di! Jam ndërdyzash: dëshiroj të shkoj e të jem me Krishtin, sepse kjo është gjë shumë, shumë më e mirë, por të jetoj në këtë trup është më e nevojshme për ju. Për tani e di se do të mbetem dhe do të rri në mesin tuaj për përparimin tuaj e në gëzim të fesë, që mburrja juaj për mua në Jezu Krishtin të shtohet, kur përsëri të vij ndër ju. Ju veç, jetoni në mënyrë të denjë të Ungjillit të Krishtit, që – kur të vij e t’ju shoh, ose larg prej jush – kur të dëgjoj për ju, të ndiej se jeni të qëndrueshëm në një shpirt dhe se, një zemre, luftoni të gjithë së bashku për fenë e Ungjillit. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

ALELUJA, aleluja.

Hapi, o Zot, zemrat tona, që t’i pranojmë fjalët e Birit tënd.

Aleluja

Ungjilli   Mt 20, 1-16

Shëmbëlltyra e punëtorit në vreshtë na bën të kuptojmë mëshirën e Hyjit Atë.  Kush është i thirrur në fillim në shërbimin e Ungjillit duhet të gëzohet për të tjerët që janë thirrur më vonë dhe ndoshta në fund të jetës së tyre në shërbim të Hyjit.  Hyji thërret të gjithë, dembelë dhe aktivë, bujarë dhe të vonuar.  Kisha nuk është pronë e besimtarëve që e përbëjnë, por është e Hyjit.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tregoi nxënësve të vet këtë shëmbëlltyrë: “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me atë zot shtëpie, i cili doli herët në mëngjes që të gjejë punëtorë për vreshtin e vet. E, si u godit me punëtorët nga një denar në ditë, i çoi në vreshtin e vet. Pastaj doli edhe rreth orës tre, pa do të tjerë duke ndenjur të papunë në treg e u tha: ‘Shkoni edhe ju në vreshtin tim e do t’ju jap sa të jetë e drejtë.’ Shkuan edhe ata. Prapë doli rreth orës gjashtë dhe orës nëntë e bëri ashtu. Doli përsëri rreth orës njëmbëdhjetë, gjeti tjerë që po rrinin të papunë dhe u tha: ‘Përse rrini këtu të papunë gjithë ditën?’ Ata i përgjigjën: ‘Sepse askush nuk na mori në punë.’ Ai u tha: ‘Shkoni edhe ju në vresht!’. Si u bë mbrëmje, i zoti i vreshtit i tha kujdestarit të vet: ‘Thirri punëtorët dhe jepu pagën – fillo prej atyre të fundit e deri në të parët.’ Erdhën kështu ata të të njëmbëdhjetës orë e morën secili nga një denar. Kur erdhën të parët, menduan se do të marrin më shumë. Por edhe ata morën nga një denar. Duke e marrë ankoheshin në zotshtëpinë e thoshin: ‘Këta të fundit punuan vetëm një orë e ti i barazove me ne që mbartëm mundin e ditës e vapën.’  E ai i përgjigji njërit prej tyre: ‘Mik, s’po të bëj padrejtësi! A nuk u godite me mua nga një denar? Merr sa të përket e nisu! Unë dua t’i jap edhe këtij të fundit sa ty! A nuk kam të drejtë të bëj me pasurinë time si më pëlqen mua? Vallë a duhet të jesh ti smirëzi pse jam unë i mirë?’. Kështu të fundit do të jenë të parët, e të parët të fundit!” Fjala e Zotit. Lavdi ty, o Krisht.

22/09/2017 00:30