2017-09-21 15:16:00

Papa për Komisionin italian antimafie: luftë kundër korrupsionit


Mendimi i parë i Papës Françesku, gjatë takimit të paradites së sotme me anëtarët e Komisionit parlamentar italian antimafie, të cilët i priti në Vatikan, shkoi tek “të gjithë ata njerëz, që në Itali, e kanë paguar me jetë luftën kundër mafies”. Në veçanti, Ati i Shenjtë kujtoi tre gjykatës të vrarë nga mafia italiane: Rosario Livatino, Giovanni Falcone dhe Paolo Borselino.

          Pastaj, Papa vuri në dukje “krizën morale, që kalojnë sot, njerëzit dhe institucionet”, duke i ftuar të gjithë të nisen nga “zemra e njeriut”, të vigjëlojnë mbi njeriun, tunduar nga oportunizmi, mashtrimi e gënjeshtra,  mbi atë, që i duket vetja më i mirë se të tjerët e pretendon që sjellja e tij të shërbejë si normë për të gjithë. Papa ngriti zërin kundër një politike të devijuar, që ndjek interesat e palëve e marrëveshje të paqarta:

         “Arrihet, atëherë, në mbytjen e thirrjes së ndërgjegjes, në banazilimin e së keqes, në ngatërrimin e së vërtetës me gënjeshtrën dhe në përfitimin nga roli i përgjegjësit publik”.

         Politika e vërtetë, nënvizoi Papa Françesku, e ndjen si përparësi luftën kundër mafies, që e vjedh të mirën e përbashkët, duke u shuar shpresat e duke u cënuar dinjitetin njerëzve. Prandaj, theksoi Ati i Shenjtë, duhet luftuar së pari, korrupsioni, i cili e përbuz interesin e përgjithshëm dhe përbën terrenin pjellor për mafiet e çdo lloji, duke e ngritur në idhull paranë dhe duke tregtuar me dinjitetin njerëzor.

         “Korrupsioni – tha Papa – e gjen gjithnjë mënyrën për ta justifikuar veten, duke u paraqitur si gjendje ‘normale’, si zgjidhje e ‘të zgjuarve’, si rrugë që mund të përshkohet për të arritur objektivat personale. Ka natyrë ngjitëse e parazitare, sepse nuk ushqehet me të mirën që prodhon, por me gjithçka zhvat e vjedh. Është rrënjë e helmatisur, që e deh konkurrencën e shëndoshë dhe i largon investimet”.

         Mafiet, analizoi Papa Françesku, paraqiten si alternativë në territor, aty ku mungojnë të drejtat dhe mundësitë, si: puna, shtëpia, arsimi, asistenca shëndetësore. Prandaj, politika duhet të jetë gati edhe për një impenjim të fuqishëm ekonomik, që të korregjojë apo të zhdukë mekanizmat, të cilat shkaktojnë pabarazi dhe varfëri:

         “Sot, nuk mund të flasim më për luftë kundër mafies, pa ngritur problemin e jashtëzakonshëm të financës - tashmë sovrane mbi të gjitha rregullat e demokracisë - falë së cilës realitetet e krimit investojnë e shumëfishojnë fitimet e mëdha të trafikëve të tyre: drogë, armë, trafik njerëzish, asgjësim i mbetjeve toksike, kushtëzime në tenderat për veprat e mëdha, lojëra kumari, dallavere”.

         Por, çlirimi i vërtetë nga mafia, theksoi Papa Françesku, presupozon një ndërgjegje të re qytetare:

         “Duhet vërtet të edukojmë dhe ta edukojmë vetveten për të vigjëluar vazhdimisht mbi veten dhe mbi kontekstin në të cilin jetojmë, duke e bërë gjithnjë e më të saktë perceptimin e fenomeneve të korrupsionit dhe duke gjetur një mënyrë të re për të qenë qytetarë, e cila të përfshijë kujdesin dhe përgjegjësinë për të tjerët e për të mirën e përbashkët”.

         Papa Françesku lavdëroi ligjin italian antimafie, sidomos pasuritë e konfiskuara nga mafiozët, por tërhoqi vëmendjen edhe ndaj kujdesit, që duhet treguar për dëshmitarët e drejtësisë, të cilët, duke vënë në rrezik kokën, denoncojnë dhunën dhe dëshmojnë në gjyq kundër mafiozëve:

         “Duhet gjetur rruga, që i lejon njeriut të pastër, por anëtar i familjeve apo i rrethit mafioz, të dalë prej tij pa pësuar hakmarrje dhe shpagime. Duhet ndihmuar, natyrisht, duke respektuar udhën e drejtësisë, por edhe të dinjitetit të tij si njeri, që zgjedh të mirën dhe jetën”.








All the contents on this site are copyrighted ©.