2017-09-21 14:34:00

Papa Françesku mbi abuzimet në Kishë: “tolerancë zero”


Papa Françesku priti sot në audiencë Komisionin papnor për Mbrojtjen e të miturve, të cilit i dorëzoi fjalimin e përgatitur, ku i falenderon për punën dhe konfirmon se “Kisha pretendon zbatimin e parimit të ‘tolerancës zero’ kundër abuzimeve seksuale në dëm të të miturve”.

“Pasi ka dëgjuar dëshmitë e viktimave dhe të të mbijetuarve” nga kjo dhunë, vërehet në fjalën e shkruar, e duke pasur parasysh se abuzimet seksuale janë “një mëkat kundër e në kundërshtim me gjithçka mësojnë Krishti e Kisha”, Papa Françesku rithekson impenjimin e Kishës për të zbatuar masat më të rrepta kundër atyre, që, siç shkruan Ati i Shenjtë, “abuzojnë me bijtë e Zotit”.

Ati i Shenjtë vë në dukje punën e madhe bërë nga Komisioni, i cili është pikë referimi për të gjithë Konferencat Ipeshkvnore dhe për rregulltarët kudo në botë. Objektivi, këshillon Papa, është “vazhdimi i bashkëpunimit me Kongregatën për Doktrinën e Fesë dhe me Kongregatën për Ungjillëzimin e Popujve”, që praktika e parandalimit dhe e luftës kundër krimit të abuzimeve të disa anëtarëve të klerit me të miturit të inkulturohet në Kishat e ndryshme.

Kënaqësi shpreh Papa edhe për programet edukative mbi strategjitë në luftën kundër abuzimeve, paraqitur nga kardinali O’Malley (kreu i Komisionit) dhe nga zonja Marie Collins, njëra nga themelueset e Komisionit. Fjalët e fundit të Atit të Shenjtë ishin në favor të viktimave, të cilat ua beson Zojës së Bekuar.

Kryetari i Komisionit papnor për Mbrojtjen e të miturve, kardinali Sean O’Malley, në përshëndetjen për Papën, nënvizoi se përparësi për anëtarët është vijimi i punës së deritanishme dhe “risimi i grupit të komisarëve me përfaqësues të Kishave nga anë të ndryshme të botës”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.