2017-09-21 13:08:00

Papa Françesku në Shën Martë: shpesh katolikët shkandullohen nga mëshira


“Porta për t’u takuar me Jezusin është të pranojmë se jemi mëkatarë”. Kështu tha sot paradite Papa Françesku në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Gjatë homelisë, Ati i Shenjtë komentoi kthimin e Shën Mateut, në ditën e festës së tij liturgjike. E natyrisht, mori si shembull pikturën e njohur të Karavaxhos, tepër e dashur për Papën.

Tri, etapat e ngjarjes: takimi, festa dhe shkandulli. Jezusi shëroi paralitikun e takoi Mateun, ulur në tryezën e tagrambledhësit. Mblidhte taksat e popullit të Izraelit për t’ua dhënë romakëve, prandaj e shihnin shtrembër, si tradhtar të atdheut.

Jezusi e pa e i tha: “Më ndiq”. E ai u çua dhe e ndoqi, siç tregon Ungjilli i sotëm. Nga njëra anë, vështrimi i shën Mateut, një vështrim plot mosbesim: shihte vëngër, me një sy Zotin, me tjetrin paratë, ashtu siç e pikturon Karavaxho. Nga ana tjetër, vështrimi i mëshirshëm i Jezu Krishtit, që e pa me dashuri, vërejti Papa. Rezistenca e atij njeriu, që punonte vetëm për para, u bë hi e pluhur: u çua dhe e ndoqi. “Kjo është lufta ndërmjet mëshirës e mëkatit”, nënvizoi Papa.

 Dashuria e Jezusit hyri në zemrën e këtij njeriu, sepse e dinte se ishte mëkatar, e dinte se nuk e donte kush, se e përbuznin. E pikërisht ajo vetëdije ia hapi portën e mëshirës së Krishtit, për të cilin la gjithçka e u nis. Ky është takimi ndërmjet mëkatarit e Jezusit, nënvizoi sërish Papa.

“Kushti i parë për t’u shpëtuar është: të ndjehesh në rrezik; kushti i parë për t’u shëruar: të ndjehesh i sëmurë. E të ndjehesh mëkatar, është kushti i parë për ta pasur këtë vështrim të mëshirshëm. Le të mendojmë për vështrimin e Jezusit, kaq i bukur, kaq i mirë, kaq i mëshirshëm. Edhe ne, kur lutemi, e ndjejmë këtë vështrim; është shikimi i dashurisë, shikimi i mëshirës, shikimi që na shpëton. Mos kini frikë”.

 Si Zakeu, edhe Mateu e ndjeu veten të lumtur dhe e ftoi Jezusin për të ngrënë në shtëpinë e tij. Etapa e dytë, vuri në dukje Papa, është “festa”. Mateu ftoi edhe miqtë e tij, mëkatarë e publikanë, të cilët, më siguri, i bënin pyetje Jezusit, duke i dhënë kështu mundësinë t’u fliste për gjëra jo të kësaj bote. Ky çast, vërejti Françesku, na bën të mendojmë atë, që thotë Krishti në Kapitullin XV të Ungjillit sipas Lukës: “Do të ketë më tepër festë në Qiell për një mëkatar që kthehet, se sa për 100 të drejtë që mbeten të tillë”. Është festa e takimit me Atin Qiellor, festa e mëshirës. Vërtet, nënvizoi Papa Françesku, Jezusi duket sikur e “shpërdoron mëshirën” për të gjithë.

Për këtë arsye, çasti i tretë në Ungjillin e sotëm është “shkandulli”. Farisenjtë shikonin mëkatarë e publikanë në tryezë me Jezusin e u thoshin dishepujve të tij: “Si ka mundësi?”. Gjithnjë shkandullimi fillon me këtë pyetje, vërejti Ati i Shenjtë. Nuk po ndiqej ligji. Farisenjtë e njihnin doktrinën, dinin si shkohej në udhën e Mbretërisë së Zotit, më mirë se të tjerët, por kishin harruar urdhërimin e parë, atë të dashurisë. Prandaj, ishin mbyllur në kafazin e flijimeve, duke menduar se duke i flijuar kafshë Zotit do të shëlboheshin. Pra, mendonin se shëlbimi do t’u vinte nga vetvetja, pohoi Papa:

“Ajo ‘si ka mundësi?’, që shpesh e dëgjojmë ndërmjet besimtarëve katolikë, kur hasen me vepra mëshire… Si ka mundësi? E Jezusi është i qartë, shumë i qartë: ‘Shkoni e mësoni’. E i çoi të mësonin, apo jo? ‘Shkoni të mësoni ç’do të thotë mëshirë – atë, që dua Unë – e jo flijime, sepse Unë nuk kam ardhur për të thirrur të drejtët, por mëkatarët’. E nëse dëshiron që Jezusi të të thërrasë, prano se je mëkatar”.

Papa Françesku kërkoi më pas që secili t’i shohë konkretisht mëkatet e veta. “Ta lemë Jezusin të na shohë me vështrimin e Tij të mëshirshëm, plot dashuri”, shtoi. E duke u ndalur sërish tek shkandulli, vërejti sa shumë janë, edhe brenda Kishës, ata që shkandullohen në tepri:

“Ka shumë, shumë… E gjithmonë, edhe në Kishën e sotme. Thonë: ‘Jo, s’mundemi, është e qartë se janë mëkatarë ata, duhet t’i largojmë’. Edhe shumë shenjtorë janë persekutuar e dyshuar prej këtyre. Le të mendojmë për shën Zhanë D’Arkun, që u dogj në turrën e druve, sepse mendonin se ishte shtrigë e kështu, e dënuan. Shenjte! Mendoni për shën Terezën, që dyshohej për herezi; mendoni për të Lumin Rozmini. ‘Mëshirë dua, jo flijime’. Kjo është porta për të takuar Jezusin, për ta njohur vetveten ashtu siç jemi në të vërtetë. Mëkatarë! E Ai vjen dhe takohemi. Është kaq bukur kur takon Jezusin!”








All the contents on this site are copyrighted ©.