2017-09-21 12:32:00

Kardinali Ernest Simoni-Troshani kujton përvjetorin e vizitës së Papës Françesku në Shqipëri


Më 21 shtator kujtojmë 3 vjetorin e vizitës së Papës Françesku në Shqipëri. 11 orët e qëndrimit të Atit Shenjtë Bergoglio në tokën shqiptare do të mbahen mend gjatë në historinë shqiptare. Shtegtimi apostolik në Shqipëri, vendi parë i Evropës që vizitohej nga Papa Françesku, qe një bekim, një takim e përqafim me mbarë popullin shqiptare.

Mbi këtë takim e përvjetor të vizitës së Papës në Shqipëri, ta dëgjojmë dëshminë e sotme të kardinalit shqiptar, hirësisë tij Ernest Simoni-Troshani në mikrofonin e redaksisë shqipe.........

Pra, vizita e Papës Françesku në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, ishte domethënëse, mbi gjithçka, qe një mesazh dhe një vlerësimi i jashtëzakonshëm, që pakkush nga personalitetet botërore i ka bërë popullit shqiptar e Shqipërisë, Kishës martire shqiptare, kombit shqiptarë, gjatë historisë së tij.

Nga autoritetet me të larta shtetërore e civile, deri te kryetarët dhe përfaqësuesit e besimeve fetare të vendit, nga të varfrit e deri te personat me aftësi të kufizuara, pra për të gjithë, vërtetë, ishte një përqafim atëror dhe një bekim Hyjnor.

Përzgjedhja e Shqipërisë, pa dyshim që kishte simbolikë shumë të fortë, por ishte e lidhur edhe me mesazhet e jashtëzakonshme, vëllazërore e të shenjta që Papa Françesku drejtoi nga Shqipëria, nga Sheshi Nënë Tereza, para portreteve të martirëve të diktaturës ateiste, pra, nga Tirana për të gjithë kontinentin e vjetër, për botën e qytetëruar e për mbarë njerizimin.

Vizita e Papës Françesku në Shqipëri pati mesazhe të jashtëzakonshme, mesazhe vlerësimi pa dyshim, por mbi të gjitha shprese dhe besimi. Besimi tek Zoti, besimi e respekti tek njëri tjetri, besimi tek e mira.

Ati i Shenjtë Bergoglio çmoi lartë martirizimin që pësoi  Kisha shqiptare, martirizimin që pësoi populli shqiptar, por vlerësoi edhe virtytet më fisnike të shqiptarëve, ato që Shqipëria i ka trashëguar brez pas brezi, duke i vendosur në vëmendjen e mbarë botës. Në takim me klerin shqiptar Papa Françesku u përlotë, sepse, diç do të thoshte më pas në bisedë me gazetarë në avion gjatë kthimit të tij në Romë, “të dëgjosh një martir që flet për persekutimin e vet, është tronditëse! Besoj se të gjithë ne që ishin aty, jemi prekur dhe emocionuar: të gjithë. E ata dëshmitarë flisnin thua se po flitej për dikë tjetër, natyrshëm, me përvujtëri. Mua më ka bërë mirë, kjo!”

Papa Françesku, pra, e vlerësoi kombin shqiptar për thesarin e çmueshëm njerëzor, shpirtëror, për bashkëjetesën e shkëlqyer mes besimeve fetare dhe e paraqiti këtë si shembull qe duhet marre nga e gjithë bota. Prandaj, nuk mund të harrohet, mesazhi për dashuri, respekt dhe tolerancë pavarësisht besimit, që Papa Françesku e përcolli gjatë takimit me krerët e komuniteteve të ndryshme fetare të Shqipërisë, në ambientet e universitetit "Zoja e Këshillit të Mirë".

Bashkëjetesa dhe toleranca fetare, janë vlera të cilat Papa Françesku ia njeh me meritë shqiptarëve. Për këtë, ai e konsideroi Shqipërinë, një vend të mirë e të frytshëm edhe për dialogun ndërfetar. “Ky është një truall veçanërisht i frytshëm edhe për dialogun ndërfetar. Të dashur miq, ju bëj thirrje ta mbani dhe ta thelloni traditën e marrëdhënieve të mira ndërmjet bashkësive fetare në Shqipëri dhe të ndjeheni të bashkuar në shërbimin ndaj Atdheut tuaj të shtrenjtë. Vijoni të jeni për vendin tuaj, e jo vetëm, shenjë që tregon se janë të mundura marrëdhëniet e përzemërta dhe të bashkëpunimit të frytshëm ndërmjet njerëzve me përkatësi të ndryshme fetare.”

Për Papën Françesku, liria e vërtetë fetare, i shmanget tundimit të mostolerancës, të sektarizmit, të urrejtjes e refuzimit të tjetrit. Në botë sot, ekzistojnë me dhjetëra konflikte të armatosura me bazë fetare. Dhe Ati i Shenjte Bergoglio tha para tre vjetësh në Tiranë se “askush nuk mund të përdorë emrin e Zotit për të ushtruar dhunë”.

Gjatë homelisë së Meshës, kremtuar atë ditë në sheshin Nënë Tereza, në Tiranë, iu lutë Zotit për paqen në shtëpitë dhe familjet shqiptare, në zemrat e në kombin shqiptar. E kujtoi ditët e errëta të periudhës së diktaturës, duke thënë mes tjerash: “Pati edhe vende që ia mbyllën derën Zotit dhe ndaluan besimin. Edhe vendi juaj u mbyll me vargonjtë e mohimit. Ata u përpoqën kot ta nxjerrin Zotin nga zemrat e njerëzve dhe donin t'i frikësonin besimtarët” - tha Papa.

"Në shekuj të gjitha besimet janë persekutuar në këtë vend", theksoi Ati i Shenjtë Françesku. “Shqipëria ka qenë tokë martirësh, shumë ipeshkvij, meshtarë e besimtarë e paguan me jetë besimin e tyre në Krishtin Zot. Nuk munguan aktet sakrifikuese, por ata nuk u përulën përballë kërcënimeve. Zoti ishte pranë jush dhe ju mbajti në këmbë. Shqiponja në flamurin e Shqipërisë jep shenjën e shpresës. Zoti është pranë nesh në çaste të vështira” - tha Papa.

“Sot portat e Shqipërisë janë të hapura. Kam ardhur t'ju mbështes e t'ju jap shpresë. Fluturoni lart, si shqiponja, por mos e harroni folenë" - theksoi Ati i Shenjtë Bergoglio. Kështu, mund të themi se vizita e Papës Françesku në Shqipëri, ishte një ftesë për shpresë, drejtuar një populli, që kishte kaluar çaste të vështira, që kishte vuajtur për shkaqe, të njohura mirë nga të gjithë. Prej këndej, fjalët e vlerësimit, të inkurajimit e të shpresës mbetën të vulosura ndër zemra të të gjithëve.

I gjithë takimi me popullin shqiptar u realizua me sukses e me gëzim të madh. Me qindra mijëra njerëz, si në shtegtimin e Gjon Palit II, e shoqëruan edhe Papën Françesku gjatë rrugëve; qindra mijëra numri i pjesëmarrësve në kremtimin e Meshës në Tiranë. Me një entuziazëm proverbial. Kështu, një popull i tërë u shtrëngua rreth Eukaristisë. Një popull, që e do Papën Françesku, që e ndjen fuqimisht pranë Pasardhësin e Shën Pjetrit edhe në historinë e tij. Papa e dinte këtë, prandaj i la këtij vendi, Shqipërisë, një mesazh të qartë, mesazh vëllazërimi, feje e shprese, që mund ta përtërijë jetën e njerëzve e të mbarë shoqërisë.

Në kujtesën e shqiptarëve, është sigurisht e pashlyeshme figura e Papës së parë që vizitoi Shqipërinë, më 1993, Gjon Palit II, me të cilin janë lidhur fort, në sa, më 21 shtator 2014, u njohën nga afër me figurën konkrete dhe mesazhin prekës të Papës Françesku.








All the contents on this site are copyrighted ©.