2017-09-20 14:19:00

Selia e Shenjtë në IAEA. Alarm për Korenë e Veriut: jo, zgjidhjeve ushtarake


“Etika e re e përgjegjësisë, solidaritetit dhe e bashkëpunimit të sigurtë duhet të zëvendësojë arsyet e izolimit, të interesit vetjak dhe të frikës”. Kështu foli sekretari i Dikasterit vatikanas për zhvillimin e gjithanshëm, imzot Bruno Marie Duffé, në Konferencën e përgjithshme të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), mbledhur këto ditë në Vjenë. “Paqja dhe siguria e secilit – nënvizoi përfaqësuesi i Vatikanit – varet nga garancitë për paqen dhe sigurinë e të tjerëve”. Që këndej, ftesa drejtuar politikanëve e pushtetarëve të botës të punojnë më shumë për zhdukjen e armëve bërthamore e për përdorimin paqësor të teknologjive bërthamore.

Imzot Duffé nuk e fshehu shqetësimin e Selisë së Shenjtë për programin bërthamor të Koresë së Veriut, që “kërcënon paqen dhe sigurinë e rajonit, si edhe integritetin e regjimit të mospërhapjes së armëve bërthamore”. Gjithsesi, përgjigjja për regjimin e Piong-jangut nuk mund të jetë ushtarake. Sado të vështira të duken, përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare duhet të orientohen drejt fillimit të bisedimeve për të zhdukur armët bërthamore nga ky vend, duke i dhënë Agjencisë së OKB-së për Energjinë Atomike rolin e saj kritik të verifikimit.

Themeluar në vitin 1957, IAEA është organizëm i specializuar i Kombeve të Bashkuara për promovimin e përdorimit të sigurtë e paqësor të energjisë atmike. Në këtë kuadër, konferenca e përvitshme, është rast për të ndarë me 151 shtetet anëtare njohuritë dhe teknologjinë e arritur në fushën e energjisë bërthamore.








All the contents on this site are copyrighted ©.