2017-09-20 13:34:00

Papa Françesku në audiencë: mos kini frikë të ëndërroni, përmirësojeni botën


Mos u dorëzo para errësirës, “jeto, dashuro, ëndërro, beso” e nëse gabon, ngrihu prapë. “Si edukator, si baba”, që i flet një të riu apo kujtdo, që dëshiron të mësojë, Papa Françesku përdori sot vetën e dytë njëjës “ti” për t’iu drejtuar besimtarëve të pranishëm në audiencën e përgjithshme, në Sheshin e Shën Pjetrit. Vijoi reflektimin e tij mbi “shpresën e krishterë”, duke dhënë disa ide si mund të edukohet kjo shpresë.

Mund të përmblidhen në rreth dhjetë këshilla, propozimet e Papës Françesku. Së pari, mos u lër hapësirë mendimeve negative, sepse armiku është brenda vetes e jo jashtë. Duhet të mendojmë gjithnjë se kjo botë është mrekullia e parë e Zotit e të shpresojmë gjithnjë, sepse feja e shpresa ecin së bashku. “Në fund të jetës nuk na pret mbytja”, sepse Zoti nuk zhgënjen: “nëse e ka vënë shpresën në zemrat tona, nuk dëshiron natyrisht ta shuajë me zhgënjime të vazhdueshme”. Duhet ta lemë veten në dorë të Zotit, që na ka krijuar për të lulëzuar e për t’u rritur më tej.

Me një fjalë, Ati i Shenjtë kërkon të mos dorëzohemi: “Kudo ndodhesh, ndërto! Nëse bie përtokë, ngrihu! Mos rri përtokë – e nxiti Papa secilin prej të pranishmëve – ngrihu, lëre Zotin të të ndihmojë për t’u ngritur. Nëse je ulur, vihu për udhë! Nëse mërzitja të paralizon, largoje me vepra të mira! Nëse ndjehesh bosh apo i demoralizuar, lutju Shpirtit Shenjt ta mbushë sërish boshllëkun tënd”.

Papa Françesku kërkon edhe të mos e dëgjojmë zërin e atyre, që duan të mbjellin urrejtje dhe përçarje: “Sill paqen në mes të njerëzve”, këshillon. E kur ka kundërshti, duhet durim, sepse “secili zotëron një copëz të vërtete”.

E më pas, thirrja e fuqishme për të dashur: “duaji njerëzit”, “duaji një nga një”, tha Papa. E kjo do të thotë të respektohet rruga e të gjithëve, e qetë apo e trazuar qoftë, sepse “secili prej nesh e ka një histori për të treguar”. E çdo fëmijë lind me një premtim për një jetë të re, të ndryshme nga të tjerat.

 “E sidomos ëndërro! Mos ki frikë të ëndërrosh. Ëndërro!”, këshillon Papa Françesku sidomos të rinjtë. Ëndërro një botë, që akoma nuk shihet. Vërtet, vëren Ati i Shenjtë, bota ecën falë vështrimit të njerëzve, që guxuan të ëndërrojnë, edhe kur përreth nuk dëgjonin veçse tallje:

“Njerëzit e aftë të imagjinojnë i kanë dhuruar botës zbulime shkencore dhe teknologjike”, kujton. “Kanë kapërcyer oqeane, kanë lënë gjurmët e tyre në toka, që askush nuk i shkeli kurrë. Njerëzit, që e kultivuan shpresën, janë edhe ata, që fituan mbi skllavërinë e sollën kushte më të mira jetese mbi këtë tokë”.

 E pastaj, thirrja e fuqishme e Papës Françesku për të qenë i përgjegjshëm në këtë botë, edhe për jetën e njerëzve të tjerë. “Çdo padrejtësi kundër të varfërve është plagë e hapur, që ul edhe dinjitetin tënd”, thekson.

Dhuratën e guximit duhet t’ia kërkojmë Zotit, kujton, sepse pikërisht Jezu Krishti fitoi mbi frikën, “armiken tonë më të mefshtë”, e cila, gjithsesi, nuk mund të bëjë asgjë kundër fesë. Por Papa e di se nganjëherë na kap një frikë e mnershme, prandaj duhet të mendojmë për Jezusin, i cili “përmes teje”, nënvizoi Françesku, me butësinë e Tij, nënshtron të gjithë armiqtë e njeriut: mëkatin, urrejtjen, krimin dhe dhunën. E pastaj, “kij guxim të thuash gjithnjë të vërtetën”, e kujtohu se nuk je më i mirë se të tjerët e më lart se ata.

Papa Françesku i këshillon të rinjtë të kultivojnë ideale. “Jeto për diçka, që shkon përtej njeriut”, nxit Ati i Shenjtë, pavarësisht se një ditë, këto ideale mund të të kushtojnë shumë. “Nëse gabon, ngrihu prapë: s’ka asgjë më njerëzore se gabimi”, pohon, duke nënvizuar se nuk duhet të mbetemi në kurthin e gabimeve tona.

“Mëso nga mrekullia, kultivo habinë”: është këshilla e fundit e Papës Françesku si baba, dhe, përfundon, “mos u dëshpëro kurrë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.