2017-09-20 11:31:00

Ipeshkvijtë e Meksikës ftojnë për solidaritet me viktimat e tërmetit


“Bashkohemi në dhimbjen për viktimat e tërmetit, në zona të ndryshme të vendit, kryesisht në shtetet Morelos, Tlaxcala, Puebla, Guerrero, Oaxaca, México dhe Qyteti i Meksikos”. Kështu lexohet në komunikatën e Konferencës Ipeshkvnore Meksikane, pas tërmetit të fuqishëm, që goditi dje Meksikën.

         “Edhe një herë – thuhet në tekst – jemi dëshmitarë të solidaritetit të popullit meksikan, i vëmendshëm ndaj vuajtjeve të vëllait. Mijëra duar formuan zinxhirë jete, për të ndihmuar, për të dhënë ushqim, për të dhënë atë kokrrën ungjillore të grurit para kësaj emergjence. Sot, më shumë se kurrë, e ftojmë popullin e Zotit të bashkohet në solidaritetin për vëllezërit tanë, të cilët po vuajnë nga fatkeqësitë e ndryshme, që kanë goditur vendin”.

         Komunikata njofton se Kisha vendase po e ndjek gjendjen me kujdes të veçantë e po përpiqet të koordinojë ndihmat në mënyrën më të mirë të mundshme. 








All the contents on this site are copyrighted ©.