Nga data 11 deri më 15 shtator, pranë Auditorium-it të Kuries së Përgjithshme të Jezuitëve, në Romë, u mbajt Seminari ndërkombëtar mbi kushtet dhe rrethanat e të rinjve në botë, në kuadrin e përgatitjes së Asamblesë së XVI të Përgjithshme të Rregullt të Sinodit të Ipeshkvijve mbi temën ‘Të rinjtë, feja dhe shoshitja e thirrjes shenjte’, që do të zhvillohen në muajin tetor të vitit 2018.
Në Seminar morën pjesë 82 të dërguar a përfaqësues prej pesë Kontinenteve: 21 të rinj, 17 ekspertë prej universiteteve katolike, 15 ekspertë prej universiteteve tjera, 20 edukatorë e veprimtarë të baritorisë rinore dhe vokacionale, 9 përfaqësues të organizmave të ndryshëm të Selisë së Shenjtë.
Nga pikëpamja gjeografike, 52 pjesëmarrës ishin nga Evropa, 18 nga Amerikat, 7 nga Azia, 4 nga Afrika, 1 nga Australia. Posaçërisht domethënëse ishte prania e të rinjve që vinin prej konteksteve të ndryshme gjeografike, shoqëroro-kulturore dhe fetare: ata kontribuuan në mënyrë aktive në ditët e studimit, duke hapur dhe mbyllur punimet me eksperiencën e tyre të jetës dhe me reflektimet e tyre. Pasi që Seminari ishte i hapur edhe për të gjithë ata të ishin të interesuar për këtë temë, morën pjesë edhe afër 50 mysafirë, mes të cilëve edhe disa të rinj.
Gjatë punimeve u trajtuan temat që ishin programuar si: të rinjtë e identiteti, të rinjtë dhe përpunimi i projekteve, të rinjtë e teknologjia, të rinjtë dhe transcendenca. Çdonjërës temë i është kushtuar një sesion, duke u nisur nga meditimet biblike, për të vijuar pastaj me debatin e të gjithë pjesëmarrësve, dhe punën në grupe të vogla gjuhësore .
Në sesionin e parë, u dëgjua dëshmia e pesë të rinjve, të cilët, mes tjerash, folën mbi situatat konkrete ku ka konflikte të armatosura, pastaj u fol për rikuperimin e vlerave, për ballafaqimin me sfidat e përditshme, për impenjimet dhe përcaktimet e jetës nga ana e të rinjve.
Në sesionet tjera u trajtua tema e identitetit, të rinjtë dhe puna, të rinjtë e emigracioni, të rinjtë e impenjimi shoqëror, si dhe të rinjtë e impenjimi politik. Nga dëshmitë dhe debati dolën në pah, nga njëra anë problematikat e ndërlikuara në nivelin antropologjik, moral e relacional, e nga ana tjetër perspektivat interesante, që mund të përshkohet në fushën e ungjillëzimit.
Të rinjtë kërkuan mbështetjen e Kishës, paraqitjen e figurës së Jezu Krishtit në mënyrë tërheqëse e bindëse, për të çuar përpara impenjimin e tyre dhe për t’i realizuar dëshirat, do të thotë për të qenë protagonistë në ndërtimin e një bote më të mirë, u tha në mbyllje të punimeve të Seminarit.
All the contents on this site are copyrighted ©. |