2017-09-19 14:06:00

Papa Françesku: Nënë Kabrini, model për emigracionin e sotëm


Në një kohë të karakterizuar nga “zhvendosje epokale popullsish, me tensionet e pashmangshme, që shkaktojnë”, shën Françeska Saverio Kabrini është figurë më se aktuale. Kështu shkruan Papa Françesku në një Letër për eproren e përgjithshme të Misionareve të Zemrës së Krishtit, motër Barbara Louise Staley, me rastin e 100-vjetorit të vdekjes së Nënë Kabrinit, pajtore e emigrantëve. Karizma e saj, që dallohej “nga përkushtimi i plotë dhe inteligjent ndaj emigrantëve, që nga Italia niseshin për në Botën e Re”, rridhte nga përkushtimi i saj ndaj Krishtit e misionit të Kishës.

         I saji, shpjegon Papa, është një model shenjtërie, që bashkon “kujdesin për gjendjet me varfëri të skajshme, si ajo e jetimëve dhe e minatorëve, me një ndjeshmëri të qartë kulturore”. Piëkrisht kjo ndjeshmëri bën që emigrantëve t’u njihet energjia pozitive jetësore dhe kristiane, që mund të sjellin në Kishat e në popujt pritës. “Emigracionet e mëdha të sotme – lexohet në letrën e Papës – kanë nevojë për shoqërimin plot dashuri dhe inteligjencë, si ai i karizmës kabriniane, në kuadrin e një takimi popujsh, që i pasuron të gjithë, krijon bashkim e dialog e jo ndarje dhe armiqësi”. Pa harruar, vëren Ati i Shenjtë se shenjtja Françeska Saverio Kabrini dallohej për ndjeshmëri misionare jo sektoriale, por universale.

         Dashuria për Zemrën e Krishtit, nënvizon Papa, duket qartë në vëmendjen e Nënë Kabrinit për “ato, që sot do t’i quanim periferitë e historisë”. Për shembull, kujton Ati i Shenjtë, “një vit pas linçimit mizor të italianëve, akuzuar se vranë kreun e policisë së Nju Orleansit, në Luizianë, Nënë Kabrini hapi një Shtëpi në lagjen italiane më të varfër”. Së fundi, Papa Françesku i siguron murgeshat se lutet për to, duke mbajtur gjithnjë në mendje përkushtimin e Nënë Kabrinit, themelueses së tyre, për çështjen e emigrantëve. 








All the contents on this site are copyrighted ©.